Rishikimi i buxhetit, PD: Shpallja e falimentit të qeverisë së Edi Ramës, vulos varfërinë për shqiptarët

7 Korrik 2020, 13:15

Për Partinë Demokratike, rishikimi i buxhetit vulos varfërinë për shqiptarët. Në një dalje për mediat nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se ky është një akt i dorëzimit të qeverisë që zyrtarizon shkurtimin e mijëra vendeve të punës.

Sipas Tabakut, Edi Rama po bën të kundërtën e asaj që premtoi. Merr borxh për të paguar koncesionet korruptive dhe nuk rrit pagat, pensionet dhe nuk hap vende pune.

Vendimi i ri i qeverisë për të rishikuar buxhetin për herë të dytë brenda 6 muajve është shpallja e falimentit të qeverisë së Edi Ramës dhe dëshmi sesa keq ka qeverisur këto 7 vjet dhe sa shumë ka abuzuar dhe vjedhur taksat e qytetarëve.

Akti normativ i miratuar nga qeveria vulos rënien ekonomike të vendit, që sipas Bankës Botërore pritet të jetë me 9% të prodhimit kombëtar. Është akti që bën shqiptarët më të varfër, që zyrtarizon shkurtimin e mijëra vendeve të punës dhe që paralajmëron se në xhepat e qytetarëve do të ketë më pak të ardhura dhe më shumë borxhe.

Vetë qeveria pranon se mbledhja e të ardhurave nga tatimet, nga doganat, të ardhurat nga tatim fitimi, të ardhurat personale dhe nga TVSH, do të bien në mënyrë drastike, rreth 549 milionë euro. 

Të tre këto grupe të ardhurash janë të lidhura ngushtësisht me sipërmarrjen, me punësimin dhe me konsumin e qytetarëve. Akti normativ tregon se këto tre elementë janë në kolaps.

Duke qenë se të ardhurat kanë rënë si pasojë e mosmbledhjes së tyre dhe shpenzimet janë rritur, defiçiti buxhetor pritet të jetë në rastin më të mirë 1 mld euro, por ka zëra brenda qeverisë që do të rritet edhe deri në 1.5 miliardë. Kjo do të thotë se qeveria do të vazhdojë të shkurtojë edhe më shumë krahun e shpenzimeve. Ky është një precedent i rrezikshëm, që ndodh në Shqipëri mbas 20 vitesh dhe që rrezikon financat publike.

    No videos found.