RisiAlbania mbështetje drejt karrierës! Të rinjtë shqiptarë mund të transferojnë studimet dhe të punojnë në Zvicër

18 Janar 2020, 15:11

Studentëve shqiptarë tashmë do t’ju jepet mundësi për përfituar studime në një nga shkollat më të njohura të Zvicrës, si dhe të punojnë në hotele e resorte të rëndësishme zvicerane. Kjo, falë një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit dhe një prej shkollave më të njohura botërore në fushën e mikpritjes, Shkolla e Menaxhimit të Biznesit dhe Hotelerisë në Zvicër. Kjo akademi është edhe një nga partnerët kryesor të RisiAlbania, që tashmë iu vjen në mbështetje të gjithë studentëve që aspirojnë të arrijnë më tej në fushën e turizmit por edhe më gjerë.

Për të festuar arritjet 5 vjeçare dhe marrëveshjen me shkollën zvicerane "Business and Hotel Management School" është zhvilluar një ceremoni në Tiranë ku morën pjesë institucione arsimore publike dhe private, studentë si dhe zyrtarë të ambasadës zvicerane të Tiranë.Në fjalën e saj, e përshëndeti këtë marrëveshje Drejtuesja e Akademisë, Gladiola Dona, duke e cilësuar si një hap pozitiv drejt karrierës së të rinjve dhe të rejave.

Edhe pse Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, ende ka mungesë aftësish të të punësuarve në këtë sektor. Për këtë arsye, RisiAlbania punon në këtë fushë duke stimuluar ofruesit e trajnimeve joformale përmes programeve dhe metodologjive novatore që janë shumë të kërkuara nga biznesi. RisiAlbania ka kontribuar deri më tani duke siguruar trajnime mbështetëse, që iu japin mundësinë kompanive apo shkollave të huaja të krijojnë kontakte dhe të tërheqin sa më shumë të rinj drejt këtij sektori.

I pranishëm në takim, Zëvendës shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, Patrik Meier, u shpreh se përmes këtij partneriteti të rinjtë shqiptar do të avancojnë në karrierën e tyre.

“Jemi të kënaqur të shohim se si Akademia e Mikpritjes dhe Turizmit (HAT) ofron tashmë një kurrikul të njëjtë me shkollën zvicerane. Përmes këtij partneriteti, të rinjtë shqiptarë do të avancojnë në karrierën e tyre dhe do të ekspozojnë dhe zhvillojnë më tej aftësitë e tyre”, u shpreh Meier.

Ndërsa Drejtori për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar, Martin Wyler, ftoi të rinjtë që të përfitojnë nga të tilla programe. Akademia e Mikpritjes dhe Turizmit ka një numër të trajnuarve gjithnjë e në rritje që ndjekin kurse dhe arrijnë të diplomohen dhe që nga vitin 2015 deri më tani janë diplomuar 580 studentë.