Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme nis nga 14 janari

1 Janar 2020, 19:35

TIRANË- Nga 14 janari hyn në fuqi ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, që është miratuar në Kuvend në fund të vitit të kaluar. Ky ligj, që është konsideruar si një “amnisti” e radhës, ul shumë detyrimin që paguhet në rast të shitjes së banesës, ose një objekti tjetër të paluajtshëm, i cili normalisht është sa 15% e fitimit.

Sipas ligjit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, pas dekretimit nga presidenti, rivlerësimi mund të bëhet me vlerën e tregut të pasurisë bazuar në një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i licensuar. Tatimi që individët do duhet të paguajnë për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar si më lart dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar më parë (për të cilën është paguar tatimi më herët).