Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, peng i VKM

3 Shkurt 2020, 17:13

Teksa kanë kaluar më shumë se dy javë nga fillimi i zbatimit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, procesi ende ka mbetur pezull. Kjo pasi Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës ende nuk kanë përfunduar së hartuari udhëzimin dhe VKM-në përkatëse që të plotësohet baza ligjore, e më pas të nisë rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.

Në udhëzimin që po hartojnë të dy institucionet do të përcaktohen edhe mënyra se si do të procedohet me banesat që kanë prapavijë me probleme siç është bashkëpronësia, prona të marra në formën e dhurimit apo se çfarë kriteresh duhet të përmbushin qytetarët e interesuar për të bërë rivlerësimin, por që e kanë banesën në proces legalizimi.