Robert Prifti shkrimtari që shkroi 45 vjet letërsi klandestine me gjuhën e Dantes gjatë diktaturës!

2 Mars 2020, 22:01

Robert Prifti! Ai është një autor i letërsisë shqipe, i më të lirës krijimtari të shkruar ndonjëherë në periudhën e diktaturës komuniste. Lindi në Korçë më 15 dhjetor të vitit 1925 dhe u largua nga jeta më 22 tetor të vitit 1993 në Tiranë, ende pa e parë të botuar veprën e tij.

E nisi krijimtarinë nga fillimet e viteve ’50, në Shqipërinë e diktaturës, aty në zgrip të ndonjë pushkatimi apo varjeje në litar, sikur ngjau me Vilson Blloshmin, Trifon Xhagjikën apo Havzi Nelën. Zotërues i mbi pesë gjuhëve, por edhe i një kulture të gjerë e diturive të rralla, Robert Prifti shkruante në vende të fshehta transkripte me lupë, në gjuhën italiane nën dy pseudonime “Robert Elin” e “Trevor Elin”.