Ronaldo shënon golin e 750-të në karrierë, të mëdhatë bëjnë ligjin në Champions, kualifikohet Dortmundi

3 Dhjetor 2020, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2020-12-03 13:55:44

Stephanie Frappart futet në histori pasi mbrëmë në Juventus-Dinamo Kiev u bë e para femër që arbitron në një ndeshje të Champions League. Bardhezinjtë fituan lehtësisht në Torino ndaj ukrainasve me golat e Federico Chiesa, Ronaldo dhe Moratës. Ylli portugez arriti 750 gola në karrierë një tjetër rekord ndërsa për ta mbyllur në vend të parë grupin G Juvja duhet të fitojë 3-0 ndaj Barclonës në ndeshjen e fundit.


Barcelona di  të fitojë edhe pa Messin. Në Budapest katalanasit triumfuan 3-0 ndaj Ferencvaros dhe janë me pikë të plota pas ndeshjeve të pesta në grupe. Skuadra e Koeman i mbylli llogaritë që në 30 minutat e para me Griezman, Braithwaite dhe Dembele. Për ta mbajtur vendin e parë në grup mjafton një barazim me Juventusin.

Borussia Dortmund u bë skuadra e radhës që siguron biletën për në 1/8 e Champions League. Verdhezinjtë barazuan 1-1 me Lazion në Gjermani dhe kalojnë më tej ndërsa italianëve u mjafton vetëm një barazim në ndeshjen e fundit në grupin F ndaj Brugge që mbrëmë mposhti 3-0 Zenit.


Një ndeshje nga fundi grupi H konfirmoi të gjitha parashikimet se pse u quajt grupi i vdekjes. Tre ekipe janë me nga 9 pikë kjo edhe pas fitores së PSG në “Old TRaford” ndaj Manchester United 3-1. Shkëlqeu braziliani Neymar me dy gola ndërsa Lajpcig fitoi në Stamboll 4-3 ndaj Basaksehir .


Olivier Giroud shënoi të katër golat në fitoren 4-0 të Chelseat ndaj Sevillas-s në Andaluzi dhe londinezët sigurojnë vendin e parë në grupin E ndërsa Krasnodar mundi 1-0 francezët e Rennes./ Përgatiti Andi Kapxhiu.