Roskovec/ Rrezikon të çahet diga e Kurjanit, kryebashkiakja: Kemi kërkuar ndihmën e Ministrisë së Brendshme

6 Dhjetor 2018, 21:27

Bashkia e Roskovecit në qarkun e Fierit ka ngritur alarmin në media, pasi porta e rezervuarit të Kurjanit është prishur e për pasojë nuk po kryhen shkarkimet e nevojshme. Shqetësimi është ngritur nga kryetarja e kësaj bashkie, Majlinda Bufi, e cila shprehet se bllokimi i portës mund të sjellë mbingarkesën e rezervuarit e për pasojë edhe çarjen e tij. Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit thotë se ka bërë kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë në lidhje me këtë problem, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë. 

Para dy viteve kompetenca e ujitjes dhe kullimit i ka kaluar bashkive dhe rezervuari i Kurjanit ka kaluar në administrimin e plotë të Bashkisë së Roskovecit. Por që në momentet e para, ne kemi konstatuar që porta kryesore e shkarkimit të digës nuk funksionon. Gjithashtu edhe shkarkuesi katastrofik, i cili vendoset në punë në momente emergjente kur është i tejmbushur rezervuari, edhe ky nuk funksionon.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi

Ndër të tjera, Bufi tha se është kërkuar edhe ndihma e polumbarëve të Ministrisë së Brendshme. Por, sipas saj nuk është bërë e mundur vënia në funksion e portave të ujëmbledhësit. "Pra nëqoftëse shirat janë të shumtë rreziku është i përmbytjes, jo vetëm i Roskovecit por edhe përtej Roskovecit, në Patos dhe në Fier. Kur në fakt, ky rezervuar me gjithë këtë sasi ujë që ka i shërben kësaj zone", tha ajo.

Ujëmbledhësi i Kurjanit depoziton rreth 34 milionë litra ujë, e nëse ndodh që diga e tij të çahet atëherë e gjithë Roskoveci, Patosi dhe një pjesë e Fierit përmbytet nga uji. Sipërfaqja e rezervuarit të Kurjanit zë një hapësirë prej 350 hektar tokë.