Rrëfehet i penduari, SPAK zbardh vrasjen e Vajdin Lamajt! Urdhër arreste për Shullazin e Berishën

8 Dhjetor 2020, 22:29

TIRANË- SPAK ka njoftuar sot se ka zbardhur dy vrasje të  bujshme që kanë tronditur vendin vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodjan Saliut para disa vitesh. SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre si të përfshira në këto dy ngjarje.

Rihapja e hetimeve ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi. Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës) aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar. Ndërkohë është urdhëruar ndalimi për Indrit Rusin.Hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi. SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Hetimi për këto vrasje është bashkuar në një të vetëm, sepse Lul Berisha dhe Emiljano Shullazit dhe bandat e tyre akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në ashensor në banesën e tij. Ndërkohë Lul Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në datat 26 shkurt dhe 27 shkurt të vitit 2005, pa kaluar as 24 orë.Mësohet se i gjithë operacioni është koduar "Asgjë nuk harrohet" dhe janë angazhuar 60 efektiv policie.