KAVAJË - Nga hekurat e dritares së shtëpisë që u kthye në një skenë lufte një ditë më parë në kavajë, Marsida Qatja, 30-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, dha të vërtetën e saj para gazetarëve, në lidhje me 41-vjeçarin Dritan Haxholli, që mbeti i vrarë nga shoku i saj, shef i sigurisë së burgut në Durrës, Bledar Toçi, brenda apartamentit të saj. Marsida Qatja, bashkëshorti i së cilës prej 2 vitesh e gjysmë ndodhet në burg në Gjermani, tha se nuk ka pasur asnjëherë lidhje jashtëmarte me Dritan Haxhollin. Ajo tregoi se 41-vjeçari prej kohësh e përndjek, i kërkon të dalë për kafe, e ka kapur për flokësh dhe shtyrë me forcë, ndërsa vazhdimisht e ka kërcënuar me armë në shtëpinë e saj dhe në agjencinë e udhëtimeve që ajo administron në qytetin e Kavajës.
Marsida Qatja thotë se Haxholli ishte në kërkim nga drejtësia greke ku sipas saj ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve grek, të cilët sipas saj i kishte hedhur nga kati i 14-të. Në një rrëfim për gazetarët, Marsida kujton skenën e përgjakshme brenda shtëpisë së saj. Ajo thotë se e kishte njoftuar Bledar Toçin të vinte në shtëpinë e saj pasi ndihej e kërcënuar nga 41-vjeçari. Ishte shefi i sigurisë në burgun e Durrësit që i kishte kërkuar të mos ishin vetëm në banesë, për këtë arsye Marsida Qatja tregon se kishte njoftuar edhe fqinjin e saj shumë më të vogël në moshë, Xhuljon, dhe një mik që vetëm sa kishte ardhur t'i sillte diçka në shtëpi. Sipas rrëfimit të saj, Dritan Haxholli ka ardhur me automatik, siç i vinte gjithmonë në dritaren e shtëpisë, dhe se vetë ajo i ka thënë të ngjitet në apartament për tu sqaruar si njerëz. Derën e ka hapur Bledar Toçi, dhe nga sa tregon 30-vjeçarja, ata njiheshin me njëri tjetrin, pasi Haxholli i thirri me emër dhe mbiemër. Kujtojmë se Haxholli kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgu për lëndë narkotike dhe drejtim të makinës në gjendje të dehur, dënim që e kishte vuajtur në Durrës ku Toçi është shef i sigurisë së brendshme. Haxholli - thotë Qatja ka qëlluar me automatik, duke e lënë të plagosur në qafë Bledar Toçin, me të cilin ajo thotë se ka marrëdhënie vetëm shoqërore.
Në dëshminë e saj 30-vjeçarja nga Kavaja nxjerr edhe një detaj të rëndë. Skenën e ka parë fëmija i saj, djali vetëm 2-vjeçar dhe sipas saj, Bledar Toçi e ka qëlluar me armë Haxhollin duke e vrarë, vetëm pasi 41-vjeçari i drejtoi armën fëmijës së saj. Haxholli ka qëlluar me një plumb Toçin dhe sipas saj pasi i është drejtuar fëmijës i është bllokuar arma automatike. Ndërsa Bledar Toçi dyshohet të ketë qëlluar 16 herë me armën e tij t shërbimit pistolerë Glock, pasi në vendin e ngjarjes u gjetën 16 gëzhoja të këtij lloji.
Marsida Qatja thotë se Bledar Toçi duhet të ngrihet në detyrë pasi i shpëtoi jetën të gjithëve.