Rrëfimi i dëshmitarit: Si e vrau Shkëlzeni Eglantinën në syrin tim dhe kërcënimet që mora nga Faiku!

11 Shtator 2020, 23:28

TIRANË- Më 9 qershor 2018 rrëfimi i dëshmitarit okular të krimit makabër, ka zbardhur me detaje të gjithë skenën e krimit, se si u ekzekutua Eglantina Buci nga vëllai i saj Shkëlzen Buci. Pavarësisht kërcënimeve që kishte marrë nga babë e bir, dëshmitari ka marrë "guximin"  dhe ka hedhur dritë mbi vrasjen e Eglantina Bucit.

Ka qenë ora 13:00, data dhe muaji nuk i kujtohet, takimi ka ndodhur në vendin e quajtur "Ish- Lapidari", në makinën tip "Golf 2", në sediljen e parë ishte ulur Eglantina, shofer ishte Shkëlzeni, ndërsa dëshmitari është ulur në sediljen e pasme. Shkëlzeni i kishte premtuar se thjesht do të pinin një kafe të shpejtë dhe asgjë më shumë, por nuk ndodhi kështu. Shkëlzeni ka marrë rrugën në drejtim të "Qafës së Mollës" dhe ka vijuar gjatë gjithë kohës duke i bërë presion me pyetje të ndryshme. Këtu Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk shkonte, prandaj, i ka kërkuar dëshmitarit që ta shpëtonte. "Foli Shkëlzenit se mos më banë ndonjë gjë se nuk është në terezi fare", mësohet t'i ketë thënë Eglantina dëshmitarit. Ky i fundit i ka dhënë fjalën se nuk do i ndodhte gjë, por nuk arriti ta mbante. "Tregoji çfarë ke për t'i treguar se nuk të bën gjë", i tha thënë ai, por në këtë momente Shklëzeni i ka kërkuar që "të mos ndërhynte". Shkëlzeni është larguar 50 m larg makinës, ndërsa dëshmitari ka qëndruar aty duke pirë cigare. Nga larg ai ka kuptuar që vëlla e motër po debatonin dhe më pas ka parë që nga pjesa e pasme ka nxjerrë pistoletën, që nuk e dinte se e kishte pasur me vete. Britma e Eglantinës "Ndihmë" i ka tërhequr vëmendjen, por aty Shkëlzeni ka qëlluar direkt me një plumb në fytyrë dhe një tjetër që nuk ka mundur dot ta shohë për shkak të lëvizjes.