Rrëfimi i Eva Golemit, sopranos së 35 kryeroleve në opera

29 Dhjetor 2019, 16:55

Talenti e puna shënuan fatin e saj, që gjatë viteve universitare. Vokali i Eva Golemit ishte i destinuar për kryerole. Pas daljes së parë skenike në moshën 21-vjeçare, me një nga operat e Moxartit, sopranoja do t’i dhuronte skenës shqiptare, të tjera peformanca, të denja për skenat evropiane. Në role protagoniste, si Donna Anna, Mimi, Leonora e të tjera., Eva Golemi e ka mbushur publikun shqiptar me shpresë për artin, duke e shndërruar Teatrin e Operas me apo çdo skenë ku performon, një shëmbëllim të pastër të “La Scala-s” apo “Opera de Paris”.

Të mësuar me talentin shqiptar “turist”, që peshohet më parë nga të huaj e herë pas here duartrokitet në Shqipëri, skena shqiptare me Golemin e ka edhe një “diva” të operës, që të bën të kuptosh se skenën mbi të gjitha e bën artisti.

Me të vepra, si “Toska”, apo “Traviata”, "La Boheme" apo "Il trovatore" kanë zërin e lakmuar femëror të protagonistes, interpretimin e ndjerë dhe hijeshinë skenike që duket sikur ka ndalur kohën.

Pas heroinave skenike, fshihet Eva mike, bashkëshorte, nënë, që bën betejat e përditshme të çdo gruaje. Familja e tyre, violinisti Arben Llozi tanimë edhe me virtuozen Laura e djalin 6-vjeçar Kevin e formojnë një orkestër të vogël, ku ndihet gjithmonë dashuria për muzikën.

Eva 20 vite në skenë, cila është puna që ke bërë që performancat e tua të vijnë në rritje, duke nisur që nga Dona Ana, Xhilda, Toska, Leonora apo Madame Buttefly?

Roli im i parë në skenë ka qenë ai i Dona Anës. Isha studente në vitin e fundit të Universitetit të Arteve kur bëra audicione për këtë rol, ku edhe fitova. Kam punuar tre muaj me dirigjentët edhe regjisorin austriak edhe i mbaj mend emocionet, që kam pasur në daljen time të parë me orkestër, kur dirigjenti tha: “Duhet që ta inkurajomë këtë vajzë, që po këndon një rol të vështirë për moshën e saj”. Imagjinoni, që një 21-vjeçare të këndojë këtë rol të vështirë në repertorin e Moxartit. E kalova me sukses edhe që prej asaj kohe nuk u jam ndarë roleve të para. Puna jonë është si ajo e sportistëve, kërkon dashuri edhe pasion shumë të madh për këtë profesion. Sikur, edhe një herë të rikthehesha pas, unë nuk do ta ndërroja profesionin tim me asgjë tjetër.  

Këtë vit je ngjitur në skenë tek “La Boheme” të Puçinit, si Mimi, në  “Il Trovatore” të Rigoletos, si Leonora, ndonëse jo në Teatrin e Operës, sepse vazhdon që të jetë në rikonstruksion, por, në Pallatin e Kongreseve. Megjithatë, me lojën edhe interpretimin tënd në skenë, ti arrin përherë që të bësh për vete publikun. Çfarë i ka dhënë Leonora dhe Mimi karrierës tënde?

Rolin e Mimisë unë e kisha interpretuar edhe më herët. Ndërsa, rolin e Leonorës tek “Il torvattore” e kisha premierë. Ishte një moment shumë i veçantë, sepse doja që t’i paraqisja publikut atë Leonor shumë magjepsëse tek aria e dytë.

 24 orë në 24, pavarësisht obligimeve të shtëpisë, sepse jam edhe grua edhe nënë, e kam mendjen tek roli, tek ajo që unë duhet t’i jap të re publikut, pa rënë në përsëritje.  

Në të njëjtën sallë që ka interpretuar Maria Callas, apo edhe Luçiano Pavaroti, Eva Golemi vesh petkun e Madame Butterfly të Puçinit në Rovigo Italisë. Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë?

Nuk është hera e parë që përballem me publikun italian, jam ngjitur me Toskën, me Andrea Chenier, kam kënduar në të gjithë Europën Traviatën. Jam ngjitur në Hollandë me Normën etj. Publiku italian më ka pritur jashtëzakonisht mirë, edhe mund të them se nëse pritesh mirë nga publiku italian ke kaluar klasën. Unë pata fatin që të hap sezonin në Teatrin e Rovigos, aty ku kanë kënduar Maria Callas, Beniamino Gigli, Lucio Dalla, Pavarotti etj. Kënaqësia më e madhe ishte që salla ishte plot në të dyja netët, edhe në provën gjenerale ishte me publik. Duartrokitjet kanë qenë shumë të mëdha edhe të ngrohta, prandaj jam ndier jashtëzakonisht mirë, shumë e lumtur.   

A ka qenë ky rol në teatrin italian edhe një moment reflektimi për zgjedhjen që Eva Golemi, e cilësuar si një ndër të paktët artiste për zërin e saj brilant lirik, ka bërë duke i qëndruar besnike skenës shqiptare?

Jo, sepse unë e kam ndërtuar jetën këtu. Kam pas shumë mundësi që të jetoj jashtë, por duke pas këtu familjen edhe një dashuri të madhe për vendlindjen, kam dhënë kontributin në vendin tim. Për këtë jam krenare.

Përherë ju kemi parë në role të para, a i keni numëruar ndonjëherë sa janë?

I kam numëruar edhe janë 34 kryereole këtu edhe jashtë. Edhe pse rolet janë si fëmijët e gishtat e duarve, edhe nuk veçohen, unë veçoj Toskën edhe Violeten tek Traviata, që e kam luajtur shumë herë këtu edhe rreth 70 herë jashtë.

A do të pranonte Eva Golemi të luante, role dytësorë?

Nuk e kam menduar asnjëherë, edhe nuk do zgjidhja asnjë rol dytësor për ta luajtur. Nëse ma ofrojnë nuk do të këndoja, duket e çuditshme, por: “Jo”. Nëse do të isha në momentet e fundit të karrierës sime unë do ta lija fare, edhe do të jepja mësim në Universitetin e Arteve, ku jam edhe pedagoge e ftuar përreth në pesë vite. Nëse do të vinte ajo ditë që unë do ta lija, do ta lija me nderë edhe do të shkoja profesoreshë në UA.

Eva lidhja jote me artin nuk është rastësore, bashkëshorti instrumentist Arben Llozi, por edhe vajza Laura Llozi e vlerësuar tek “Vitruozët” tanimë vijon studimet në Vjenë. Si është që të jetosh në një familje me artistë?

Është shumë bukur, por edhe ngarkesë e madhe, sepse nga një anë vajza, nga një anë është bashkëshorti, e nga një anë vet, nuk më mungojnë as saxhot e djalit, sepse e kam futur për violinë, se kam dëshirë që të bëhet tenor. Edhe motrën e kam flautiste, por është shumë bukur. Jemi një familje artistësh, por është edhe një impenjim i madh, sepse kur mbaron vet së interpretuari në skenë je në ankth për vajzën, për motrën etj.

Ndodh rrallë sot, që një prind artist ta ketë të njëjtën dëshirë edhe për të ardhmen e fëmijës së tij...

Pse jo, unë vajzën e kam futur në violinë që pesë vjeçe edhe ajo është shumë e talentuar, vijon studimet në Vjenë, në Sofje fitoi çmimin e parë në një konkurs, duke ngritur flamurin shqiptar shumë lart, edhe pse në renditje ishim të fundit. Vërtet kërkon shumë punë, por kënaqësia kur del para publikut është shumë e madhe.

Rreth dy vite, që performoni nga një skenë në tjetrën, Artubina, Pallati i Kongreseve, në sheshe. Por, cilat janë prioritetet tuaja për 2020-n? Si e prisni rikthimin në Teatrin e Operës?

2020-n do Zoti futemi në shtëpinë tonë. Këto tre vjet kanë qenë shumë intensive, të forta, kemi shkuar edhe në rrethe, në Shkodër, Korçë, Vlorë, Durrësin, Fierin, Elbasanin. Edhe për këtë shpreh mirënjohjen time nga Zana Çelës, që ka bërë të mundur, që të mbajë fortë kalendarin edhe artistët të mos mbeten vetëm në një skenë, por të dalin edhe jashtë.
Çfarë u bën që ta doni artin, po njësoj si në fillimet tuaja?

Pasioni që kam për të! Kam një pasion të jashtëzakonshëm për punën që bëj, dashuria për artin edhe publikun, kjo më mban. 20 vjet në skenë i kujtoj si nga dita e parë edhe deri më sot, kam emocione në çdo në çdo dalie që bëj në skenë.

Dhe së fundmi, 35 kryerole, por cili është ai rol, që Eva Golemi ka dëshirë që ta luajë në skenë?

Aida në operën “Aida” edhe Medea tek “Medea” do të doja që t’i performoja.

 

    No videos found.