Rrëfimi i Flutura Açkës për “Librin e zi” të nobelistit: Mendoj se një degë e familjes së Orhan Pamuk-ut është shqiptare!

14 Gusht 2020, 17:10

“Libri i zi” i nobelistit Orhan Pamuk sheh dritën e botimit dhe në gjuhën shqipe. Shkrimtarja Flutura Açka rrëfen procesin e botimit të kësaj vepre letrare, që nga kritika ndërkombëtare e ka konsideruar të pazakontë për misterin edhe eksplorimin e identitetit që përcjell. 

“Që nga viti 2006 kam sjell çdo rresht të Orhan Pamukut. “Libri i zi” krahasohet dhe me “Muzeun e Pafajësisë” edhe “Unë jam e kuqja” apo “Jeta e re”. Është një nga veprat e tij më themelore, për shkak të një shtresëzimi që i ka bërë të gjithë dimensionit njerëzor. Në këtë rast nuk është sfondi historik, por loja që ka bërë Pamuk për të arritur tek thelbi i identitet turk dhe i identitetit të njeriut. Mendoj, që ky është boshti që endet ky libër”, shprehet Açka.

Galipi është një avokat nga Stambolli. Teksa kthehet në shtëpi zbulon se e shoqja, Ryjaja, një lexuese e pasionuar pas romaneve policeske e ka braktisur. Por, ai vë re se njëkohësisht i pranishëm nuk është asi kushëririt i tij, Xhelali. Personazh ky që do të na shoqërojë në të gjithë romanin e shqipëruar nga Hysen Voci, teksa zbulojmë Stambollin kaotik të viteve ’70 dhe grushtin e shtetit, pas vdekjes së Ataturkut

“Pamuk është marrë me periudhën historike që ai ka përjetuar vet. Libri është botuar në vitin 1990, por më pas është përkthyer në rreth 40 gjuhë të botës. Menjëherë pas vdekjes së Ataturkut, grushti i shtetit bëri që të ishte një Turqi e zbërthyer. Xhemali është vet alteregoja e Pamukut, në çka ka ndodh me historinë. Është pjesa jonë e errët që përpiqet të kërkojë pjesën e dritës ku e ka pikësynimin. Mendoj se Xhelali dhe Galipi personifikojnë Lindjen edhe Perëndimin. Janë alteregoja e Pamukut”.

Açka rrëfen edhe takimet me nobelistin Orhan Pamuk që nga viti 2008, të cilat një ditë do t’i shkruajë edhe për lexuesit.  

“Pamuku është bërë edhe më i mirë, nga momenti i parë që e kam takuar. Kam menduar që këto, por edhe dy ditët që ka ardhur në Tiranë kam menduar t’i shkruaj, sepse mendoj se do i bënte mirë lexuesit, për ta parë nga brenda dhe nga pjesa e tij shqiptare. Mendoj se një degë e familjes së tij, padyshim që është shqiptare”, rrëfen Açka.

Shkrimtarja Flutura Açka përfundon se për çmimin Nobel në letërsi ka gjithmonë pretendime nga më të çuditshmet, por arsyeja që vazhdon të botojë në shqip romanet e Pamukut, është thelbi i veprës së tij.