Rrëfimi i Mehdi Malkajt për rolet tragjikomikë, aktori: Do të bëhesha copa, që të luaja Pollonin tek Hamleti

21 Janar 2020, 16:28

Fëmijëria është periudha, në të cilën mësojmë se si të përballemi me suksesin dhe dështimin në jetë. E tija, ndonëse nuk ka qenë e lehtë, sepse mungesa e nënës është një tatuazh i përjetshëm dhimbjeje, por që ai ka bërë të mundur që kësaj jete t’i marrë më të mirën që në zemër të konservojë dashuri edhe urtësi. Ata që i qëndrojnë pranë, e kanë të vështirë të mos e duan Mehdi Malkajn, sepse pozitiviteti që ai përcjell tek të tjerët rrallë se haset në shoqërinë tonë. Për “ReportTV” Mehdi Malkaj rrëfen rolin e fundit, në shfaqjen “Kopshti i dallëndysheve” me regji të Kiço Londos në skenën e Teatrit Eksperimental, rol të cilin e rimerr sërish pas 20 vitesh. Dikur përkrah Agim Qirjaqit, kësaj here përkrah Erand Sojlit.

“Nuk është një gjë e lehtë që të luash veten pas 20 vitesh, Stavrua është po i njëjti personazh që kam pasur. Unë jam po ai, mirëpo ai Stavro i para 20 vjetëve nuk duhet që të jetë ky Stavro tani. Kjo është një barrë e madhe për çdo aktor, jo vetëm për mua, që të mund personazhin e parë për të luajtur këtë të dytin, kur është i njëjti personazh. Agim Qirjaqi ishte një tjetër aktor, Erandi një tjetër. Ndryshojnë diametralisht në psikofizikën edhe psikologjinë e tyre. Këtu në këtë vënie ishte interesante se takoheshin tre breza aktorësh, unë me Naun Shundin, Erandi edhe vajzat, që janë brez i mëvonshëm. Kjo ka qenë interesante”, rrëfen Malkaj.