Rrëfimi i studiuesit Qerim Vrioni: Si rashë në gjurmët e fotografit Kolë Maca

2 Maj 2019, 13:09

Në një album me fotografi të vjetra të viteve ’20, të botuar para disa vitesh nga arkitekti Piro Stefa për qytetin e Vlorës, studiuesi Qerim Vrioni rastësisht do të ndeshej për herë të parë me emrin e fotografit Kolë Maca. Edhe kështu ai do të niste kërkimin e fotografive me autorësinë e Kolë Macës, në albume, organe shtypi, në libra edhe arkiva. Në një rrëfim për kamerën e “ReportTV”, studiuesi Vrioni ndalet tek formimi i Kolë Macës, fotografitë që ai ka bërë asokohe, por edhe tek studimi i tij për të, “Pikëllim në një foto të vjetër”.

Zoti Vrioni, mbajmë në duar librin tuaj të ri “Pikëllim në një foto të vjetër”, i cili në kopertinë ka një fotografi të Kolë Macës, edhe një foto të  shkrepur prej tij, “Gjon Pali edhe e bija”. Por si ka nisur studimi juaj për të?

Fillimisht Kolë Macën e kam hasur në një album fotografik të arkitektit Pirro Stefa për qytetin e Vlorës. Në të kishte dy fotografi të Kolë Macës, që i ka bërë në Vlorë gjatë viteve 1916 deri në vitet 1920, kur ka punuar si fotograf në Vlorë. Njëra ishte pejzash, ndërsa tjetra trajtonte një temë sociale, dy-tre gra të ngarkuara e shkarpa. Këto fotografi më tërhoqën dhe kështu nisa kërkimet për të. Gjeta se fotografia “Gjon Pali edhe e bija” e shkrepur prej tij, në vitin 1913 ishte botuar në gazetë edhe në ballinën e një libri në Itali. Gazeta ishte e majit të vitit 1913. Artikulli fliste për fundin e luftës ballkanike, kishte lidhje me mosdorëzimin e Shkodrës tek trupat malazeze. Dihet që Rrethimi i Shkodrës ishte nga nëntori i vitit 1912 deri në prill të vitit 1913. Në fund iu dorëzuan malazezeve, por me ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare çdo gjë u kthye siç ishte. Fill pas kësaj, në fund të majit botohet kjo fotografi në Itali. Një vajzë pranë të atit, që po vdesë. Vazhdova kërkimet edhe “E bija e Gjon Palit” ishte botuar nëpër libra, revista edhe arshiva. Vërtetova se burri në foto quhet Gjon Pali edhe ishte nga krahina e Shllakut. Ka qenë edhe në librin e At Justin Rrotës, që donte ta botonte me rastin e 50-vjetorit të Rrethimit të Shkodrës, por që nuk u botuara.