Rrëfimi Petrit Çekut, si kitarist në skenat ndërkombëtare

8 Qershor 2019, 15:55 | Përditesimi i fundit: 2019-06-08 16:08:06

Për të kitara është një lodër, një mënyrë për t’u shprehur, është një instrument, të cilin Petrit Çeku e bën të këndojë. Prej 24 vitesh ai nuk është ndarë asnjëherë prej kitarës, ndërsa udhëtimi tij në skenën ndërkombëtare si kitarist nisi vetëm para 12 vitesh, kur u vlerësua me çmimin “Pittaluga” në skenën e Alessandria të Italisë. Për kamerën e “Report TV” na rrëfen se ndihet shumë i lumtur, që për herë të dytë, pas koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, luan në Tiranë, tek Amfiteatri i Liqenit

“Ndihem shumë i gëzuar që kthehem në Tiranë, sidomos në kontekstin kitaristik “Albania Guitar Festival”, një festival që glorifikon kitarën si instrument, ndërsa unë mund të jap kontributin tim, si kitarist. Në koncert, datë 8 qershor, ora 20.00 do të luaj pjesë nga Joseph Haydin, Luka Sorkocevic, Franz Schubert, Agustin Barrios dhe Astor Piazolla”, shprehet kitaristi Petrit Çeku.

Asgjë nuk është rastësore për zgjedhjen që ka bërë, si kitarist, sepse  është rritur mes dy kitaristëve amatorë, babait edhe xhaxhait të tij.  “Të dy janë amatorë, por shumë të talentuar edhe të mirë. Kjo krijon informacion të pandryshueshme në vetëdijen e një fëmije të vogël, unë kam mësuar shumë prej tyre, babait edhe xhaxhait. Madje, kitarën e parë ma ka blerë xhaxhai”, thotë ai.

Petrit Çeku ka bashkëpunuar edhe me violonçelistin e njohur Hauser para 20 mijë vetash, për të cilin shprehet se:“Houser është mbi të gjitha një çelist me një ndjeshmëri jashtëzakonisht të lartë, mbase publiku im mund të jetë 300-500 njerëz, kam bërë edhe koncerte para 20 mijë vetash, kjo është diçka sencasionale. Ai paraqitet çdo mbrëmje para 20 mijë vetash, sepse ai e paraqet muzikën klasike pa e bastarduar”.