Rregullat e reja/ Ja si mund të shpronësohen pronat e patundshme private kur e kërkon biznesi

13 Nëntor 2019, 23:36

TIRANE-Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për shpronësimin e pronave private për interes publik me kërkesë të bizneseve, bazuar te projektet që kanë për vendosjen në jetë. Fillimisht kërkesa për shpronësim paraqitet në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, ndërsa propozimi në Këshillin e Ministrave për miratimin e kërkesës për shpronësim bëhet nga ministri përgjegjës për zhvillimin urban.

Por kush janë objektet që mund të shpronësohen? Objekte të shpronësimit janë pasuritë e paluajtshme në formën e tokës, të ndërtimeve të çdo lloji, me karakter të përhershëm, pasuritë e luajtshme, kulturat bujqësore, duke përfshirë dhe drufrutorët e vreshtat, si dhe çdo investim tjetër i trupëzuar në tokën bujqësore, që do të shpronësohet.Sipas projektligjit të miratuar sot nga qeveria, kur shpronësimi është kryer me kërkesën e një subjekti juridik privat, ministri përgjegjës për zhvillimin urban i kërkon Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH) që, mbi kërkesën paraprake të këtij subjekti, të bëjë kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara nga shteti në favor të subjektit privat që ka kërkuar shpronësimin, me kushtin që të jetë vërtetuar sipas ligjit realizimi i ndërtimit ose investimit për interes publik, për të cilin është kryer shpronësimi.