Rrëshen/ Ekzekutohet me snajper nga tarraca e pallatit pronari i një medie lokale! Dy pistat e hetimit

7 Janar 2020, 15:55

MIRDITE - Ekzekutohet me snajper në qendër të Rrëshenit ish-bashkëpronari i televizionit "Media Plus" në Lezhë, Kastriot Reçi, 47 vjeç, nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati në momentin kur sapo ka dalë nga lokali në pronësi të tij për të hipur në makinë. 

Kastriot Reçi, baba i një fëmije, u ekzekutua në qendër të Rrëshenit, shumë pranë komisariatit të policisë. Policia gjeti në tarracën e pallatit edhe snajperin e përdorur nga autori/ët. Duke ju referuar mënyrës së vrasjes, autorët dyshohet ta kenë ruajtur viktimën prej disa kohesh për ta ekzekutuar.

Forca të shumta policie ngritën post-blloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar, ndërkohë që mbërritën në Rrëshen edhe forcat RENEA, dy prokurorë të Lezhës, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj i Policisë Kriminale.

Sipas një njoftimi zyrtar të Autoritetit të Medias Audio-Vizive, Kastriot Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018. Së fundi, Reçi ishte pronar i një televizioni lokal kabllor, "Lisus".

Dy vite më parë në Itali u ekzekutua vëllai i tij, Gasper Reçi i cili dyshohej të merrej me veprimtari të paligjshme. Ekzekutimi i shtatorit të 2017-ës i Gasper Reçit dyshohet të ketë ardhur si hakmarrje për vrasjen e Kreshnik Gjinit në prill 2017 në Belgjikë. Por vrasja e parë që nisi serialin e ekzekutimeve ishte e vitit 2016 në Rrëshen e ish-zyrtarit të OSHEE për Veriun, Saimir Jaku, i vrarë në një skemë të ngjashme si Kastriot Reçi sot, teksa pinte kafe në lokal në qendër të qytetit. Vrasja e 2016-ës është mbyllur pa autor ndërsa në atë kohë u dyshua edhe Kastriot Reçi, por përfshirja e tij nuk u faktua asnjëherë, ndaj dhe u lirua. 

Në lidhje me ngjarjen policia shoqëruar disa persona mes të cilëve dhe familjarë të Reçit të cilët po merren në pyetje.