Rreth 50 mije banore te Laçit pa spital, rindertimi ende larg: Germadhat mbeten pa pastruar

9 Tetor 2020, 10:34

Prej 10 muajsh qyteti i Laçit nuk njeh derë spitali ku mund ti drejtohet për problemet shëndetësore. Që pas tërmetit të 26 nëntorit, ku mes ndërtesave të shkatërrura ishte dhe spitali i Laçit, duket se ende kanë mbetur vetëm gërmadha Këto gërmadha janë ajo çfarë ka mbetur nga spitali i Laçit i cili u shemb që prej muajit Korrik, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndonëse kanë kaluar gati tre muaj inertet janë ende të pranishme. Kurbini vijon të mbetet pa spital prej më shumë se 10 muajsh. Urgjenca është vendosur në një qendër bamirësie, ndërsa për të marrë shërbim të specilizuar mjekësor qytetarët duhet ti drejtohen qytetit të Lezhës ose Tiranës. " Prej Laçit, 50 mijë banorë të shkojë një grua për të lindur në Lezhë është katastrofë. Për një gjë më të vogël të shkosh në Lezhë. Këta banorë të mos kenë një spital të rregullt është turp", shprehet një banor. Të shqetësuar kërkojnë ndërtimin sa më parë të spitalit, pasi nevojat për shërbim shëndetësor janë të mëdha edhe pse nuk kanë shpresë që kjo gjë do të ndodhë "Spitali as nuk është bërë, as nuk ka ndërmend të bëhet dhe as nuk duan ta bëjnë. Kam patur vajzën sëmurë prej 3 ditësh, duhet ti bie rreth e qark për ti bërë një serum", tha nje tjetër qytetar i Kurbinit. Referuar premtimeve që Spitali i Ri do të ishte gati brenda mujave të pranverës që lamë pas, por derisa inertet kanë zënë vend aty, duket se rindërtimi duket ende larg.