'Rriten kostot e borxhit publik me 33.9 miliardë lekë', Denaj: Nuk ka eurobond në vitin 2021

30 Tetor 2020, 19:09

Borxhi publik është ulur lehtë në tremujorin e tretët të vitit, pasi kapërceu nivelin e 80% në fund të muajit qershor 2020. Por pavarësisht rënies Ministria e Financave parashikon që viti të mbyllet me borxh rreth 81%.

“Niveli aktual i borxhit të qeverisjes qendrore, sipas të dhënave të tremujorit më të fundit (Shtator 2020) vlerësohet në nivelin 1.260.313 milion Lekë ose 79.7% e PBB. Në fund të vitit 2020 niveli i borxhit publik parashikohet të arrijë në 80.9 % në raport me PBB”, tha Denaj.

Ndërkohë marrja e eurobondit dhe e huave nga ndërkombëtarët për të përballuar pandeminë, ka rritur ekspozimin e tij ndaj rreziqeve të mundshme, të interesave, ri-pagesave dhe luhatjeve të kursit të këmbimit.

“Huamarrja gjatë vitit 2020 u realizua kryesisht nëpërmjet burimeve të jashtme, konkretisht nëpërmjet emetimit të instrumentit të Eurobond-it, si edhe nëpërmjet huave në formën e mbështetjes buxhetore. Kjo ka çuar në rritjen e ekspozimit të borxhit të jashtëm në krahasim me nivelin e fundvitit 2019 ku ky ekspozim ishte në nivelin prej 46.3%”, shpjegoi ministrja.

Si pasojë e zgjerimit të borxhit në fund të këtij viti kostot e shërbimit, për interesa dhe pagesa principali pritet të arrijnë në 98.6 miliardë lekë me një rritje prej me 33.9 miliardë lekë, krahasuar me vitin e kaluar. Përpos situatës së zymtë objektivi qeverisë është që borxhi të ulet vitin që vjen.