Rriten të ardhurat në buxhet nga punësimi, ulen të ardhurat nga zerimi i taksës për bizneset

5 Prill 2021, 16:53

Heqja e taksave për biznesin e vogël, ka nisur të jap efektet e para në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave të ardhurat nga TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin kanë pasuar rënie në dy muajit e parë të vitit. Ndërsa nga ana tjetër është gjallëruar punësimi, pasi janë rritur të ardhurat e lidhura me tregun e punës.

Konsumi është vënë në qendër të vëmendjes nga ekspertet si nxitës i rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë. Mirëpo të dhënat flasin për rënie të tij edhe në vitin 2021. Tregues për këtë është edhe tkurrja e të ardhurave nga TVSH-ja, me -5.7% në dy muajit e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë që rënia është më e lartë në raport me planifikimin që Ministria e Financave kishte bërë gjatë hartimit të buxhetit për këtë vit. Pasi tkurrja është me -16.5% vetëm në muajin shkurt.

Konkretisht në dy muajit e parë të vitit janë mbledhur nga TVSH-ja 21.6 miliardë lekë, ose 4.2 miliardë më pak se parashikimi i financave dhe 1.3 miliardë lekë më pak se në janar-shkurt 2020.

Ndikim në këtë rënie ka dhënë edhe rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë që ishte duke e çuar në 10 milionë lekë, dhe duke përjashtuar nga ky detyrim mbi 46 mijë biznese të vogla.

Nga ana tjetër rënie është regjistruar edhe tek të ardhurat nga tatim-fitimi. Në janar-shkurt në buxhet janë arkëtuar nga ky zë 3.7 miliardë lekë, me një rënie prej 7.7% krahasuar me planifikimin dhe me 17.6% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur nuk kishte nisur pandemia COVID-19.

Këtu ka ndikuar vijimi i pandemisë dhe mbajtja në presion e bizneseve për shkak të kufizimit të orareve, por pesha më e madhe është nga heqja e kësaj takse për bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë. Kjo rënie e të ardhurave ishte e pritshme nga qeveria, e cila ka vendosur që këto para tia lërë në dorë biznesit.

Ndërkohë rritje e konsiderueshme është regjistruar tek treguesit e të ardhurave që lidhen me punësimin, duke treguar për një përmirësim të tregut. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga tatimi mbi pagën janë rritur me 3.3% krahasuar me 2020. Konkretisht janë mbledhur 6.4 miliardë lekë nga 6.1 miliardë lekë që u mblodhën në janar-shkurt 2020.

Po ashtu përmirësimi i punësimit është reflektuar edhe tek të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Konkretisht këtë vit janë mbledhur 17.6 miliardë lekë nga 17.1 miliardë lekë që ishin mbledhur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.