Rritet me 60% numri i personave me pagesë papunësie! Në 2020 u regjistruan 21 mijë punëkërkues më shumë

21 Mars 2021, 08:33

Mbyllja e ekonomisë si pasojë e pandemisë COVID-19, nxori të papunë rreth 43 mijë qytetarë, ndërkohë që ka rritur shumë edhe numrin e qytetarëve që janë regjistruar si punëkërkues. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në fund të muajit dhjetor 2020 ishin të regjistruar në zyrat e punës 91.452 qytetar ose rreth 21 mijë më shumë se në vitin 2019.

Nga ana tjetër në tre muajit e fundit të vitit të kaluar është rritur me 60% numri i qytetarëve që marrin pagesë papunësie ka arritur në mbi 6 mijë në tremujorin e fundit të 2020, nga 2,652 që ishte në të njëjtën periudhë të 2019.

Pagesa e papunësisë në vitin 2020 ishte sa 50% e pagës minimale në vend, ose 13 mijë lekë, por me vendim të qeverisë kjo shifër dyfishohet deri në përfundim të pandemisë.

Sipas shifrave ka pësuar rritje edhe numri i qytetarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike si pasojë e pandemisë. Konkretisht nga 21.994 persona që ishin në tremujorin e katërt të 2019, në vitin e kaluar kjo shifër arriti në 28.944 persona.

Pandemia nuk ka lënë pa prekur edhe moshat e reja, që janë të punësuar kryesisht në sektorin e shërbimeve, bare e restorante. Në fund të 2020, janë regjistruar si punëkërkues 5.563 persona të grupmoshës 16-29 vjeç më shumë se në 2019.