Rritja e çmimit të biletave, Gërxhani: Për turistët është pozitive, preferojnë sitet e mbrojtura nga UNESCO

14 Janar 2020, 15:11

Iniciativën e Ministrisë së Kulturës, ku për vitin 2020 çmimet e biletave për në muze, parqe edhe kala janë rritur, nënkryetari i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike Kliton Gërxhani e konsideron pozitive. Kjo, sepse sipas tij, ndryshe nga biletat individuale që kanë pësuar rritje, ato në grup janë më të favorizuara.

“Kemi një ndryshim sivjet, në raport me vitet e  tjera, MK ka vendosur që të marrë vendim për rritjen e biletave në site, muze edhe parqe. Shoqata jonë reagoi që të paktën për vitin 2020 të ketë një zbutje tek operatorët vendas, duke qenë se këto çmime janë dhënë për këtë vit tek operatorët e huaj, ndryshe diferencën duhet ta paguanim vet. Kërkesa jonë për të ul numrin nga 30 në 12 individ është në vrazhdën e bashkëpunimeve, plus që për këtë vit do të ketë një rritje minimale”, shprehet Gërxhani.

Nëse më herët biletat e kthyera turistët duhet që t’i paguanin vet touroperatorët, kësaj here, vlefshmëria e tyre do të jetë më e madhe. Ndërsa, Ministria e Kulturës duhet që të jetë më e vëmendshme për plotësimin e disa kushteve minimale brenda këtyre siteve.

“Po ashtu edhe biletat e panjohura nga një muaj, do të kenë një vlefshmëri në dy muaj. Pasi të mbyllim këto pika do të shikojmë se çfarë do të ndodhë në 2021-in e më tej, sepse shumë çmime jepen që këtë vit për vitin pasardhës. Ky projekt i MK për të kaluar këto dhjetë site në biletarinë elektronike ndihmon sistemimin e tregut të operatorëve turistik edhe do të ndihmojë në uljen e informalitetit në pagesa kesh, por ka imbakt edhe tek turistët e huaj, se koha e hyrjes do të jetë më shpesh”, thotë Gërxhani teksa rikujton edhe kërkesat që të ketë facilitete brenda këtyre siteve, si tualete apo pika ku blihet ujë, më shumë siguri në vendet që rrëshqitet dhe më shumë guida lokale, duke mos lexuar vetëm tabelat orientuese, sepse qëllimi është që të maksimizohet përhapjen e kulturës sonë.

Teksa përfundon se trendi i vizitorëve gjatë viteve të fundit ka qenë në rritje, përpos numrit të deklaruar, rreth 6 milion, ku jo të gjithë janë turistë, Gërxhani ndalet edhe tek sitet që zgjedhin turistët.

“Ka një rritje shumë të fortë të interesit të vizitorëve, numri në total është 6 mln, por jo të gjithë janë turistë. Trendi është në rritje, edhe urojmë që mos të ketë impakt pas tërmetit të fundit. Destinacionet kryesore mbeten ato të UNESCO-s, Butrinti në vend të parë, Gjirokastra edhe Berati, sapo kemi shtuar edhe Pogradecin, pjesën tjetër të Liqenit të Ohrit, pastaj është edhe Apolonia, Kruja Shkodra, Durrësi, Korça edhe Përmeti”, thotë Kliton Gërxhani.

Kliton Gërxhani shprehet se dëmet që shkaktoi tërmeti i muajit nëntor për 2019 ishin të mëdha, por uron që të rikuperohen në kohë, duke mos ndikuar në uljen e numrit të turistëve për vitin 2020.