Rruga e fshatit Cerujë në Klos e amortizuar, banorët: Dashtë zoti vë dorë kryebashkiakja

28 Tetor 2019, 20:44

KLOS- Rruga e fshatit Cerujë e cila njihet tashmë me emrin “Flamur Pisli” në Bashkinë e Klosit prej vitesh vijon të jetë problematike për banorët e zonës.

Kjo rrugë e cila ju shërben katër fshatrave është në gjendje tejet të rënduar. Segmenti më problematik mbetet ai nga shkolla ‘Anekse’ e fshatit Pleshë e deri në qendër të fshatit Cerujë. Drejtuesit e mjeteve shprehen se në këtë aks nuk është investuar asnjëherë. Disa prej tyre fajësojnë edhe mjetet e tonazhit të rëndë të cilët shfrytëzojnë mineralin e kromit në malin e Cerujës.

"Më keq se në kohën e Enver Hoxhës. Enver Hoxha e kap shtruar me asfalt deri aty. Sot janë prishur, janë shkatërruar. Jemi dy fshatra. Kemi pasurinë më të madhe, kromin, hidrocentralin vetëm rrugë jo. Gjendja e rrugës është skandaloze. Ne shoferët i paguajmë të gjitha taksat. Rrugë e shërbim fare. Më zhgënjyes se ne nuk ka. Shikoni si është rruga. Fshati i braktisur është. Edhe ne do ikim. InshAllah na vë dorë kryetarja dhe na shpëto sepse jemi duke vuajtur", tha një drejtues mjeti.

 Drejtuesit e mjeteve dhe banorët e këtyre dy fshatrave kërkojnë ndërhyje në rrugë pasi është jetike për ta.