Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, dhe kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, inspektuan nga afër përfundimin e punimeve në Rrugën e Kombit.
Balluku tha se tashmë edhe ky segment rrugor është pjesë e hartës së akseve nacionale punimet për të cilët janë mbyllur dhe dorëzuar dhe që tashmë është plotësisht i aksesueshëm për përdoruesit.
Ajo nënvizoi se rritja e sigurisë rrugore ka qenë në fokus të këtij projekti duke shtuar se mangësitë e evidentuara në projektin fillestar krijuan edhe vonesa duke marrë kohë për gjetjen e zgjidhjeve të tjera në mënyrë që ky aks të përmbyllej plotësisht.
“Siguria rrugore ka qenë një nga elementet kryesorë që është zbatuar me përpikmëri në këtë aks duke qenë se është një nga prioritetet që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhe kompleksiteti i kësaj pjese ka qenë i ditur për publikun. Kjo është një kontratë e lidhur në vitin 2009 me kompleksitet të madh teknik, me një projekt gjithashtu të gabuar, siç e kemi parë dhe herë të tjera në projekte të mëparshme siç është dhe rruga Tiranë-Elbasan apo dhe gjetkë dhe përfundimisht i është gjetur një zgjidhje teknike”, deklaroi Balluku.
Por pavarësisht këtyre pengesave, ministrja Belinda Balluku theksoi se tashmë kjo rrugë, me standarde europiane, është plotësisht e hapur dhe në dispozicion të përdoruesve të saj.
