Rruga me gropa në Maliq, protestojnë banorët e 4 fshatrave: Të merren masa ose do bllokojmë aksin Korçë-Pogradec

2 Shkurt 2021, 19:57

Amortizimi i rrugës që lidh katër fshatrat Kakaç, Çaushli, Shqitas dhe Prenisht me Maliqin, ka bërë që banorët të dalin në një protestë mëngjesin e kësaj të marte.

Ata thonë se kjo situatë ju ka sjellë shumë vështirësi në lëvizje atyre dhe fëmijëve që duhet të frekuentojnë shkollën, sidomos gjatë stinës së dimrit ku balta e gropat janë gjithandej.

Kemi 30 vjet që endemi për baltën. Nuk dalim dot as me makinë. Duhen çizme. Fëmijët vijnë në këmbë. 1 km larg nëpër baltë. Është skandaloze", tregoi një protestues.

"Do dalin dhe fëmijët nga shkolla e do bëhen pis", tha një tjetër.

"Të na bëhet rruga. Vetëm kaq kërkojmë. Nuk kalojmë dot", u shpreh një banor i zonës.

"Rruga në këtë gjendje ka ardhur se janë çarë tubat. njëherë janë vënë ujërat e zeza, njëherë të bardhat", tha një protestues.

Nëse nuk merren masa, qytetarët paralajmërojnë se ata do te përshkallëzojnë protestën duke bllokuar edhe aksin nacional Korçë-Pogradec.

"Unë nga sot nuk do ta ndal protestën. Do mbush qeset me baltë dhe do të jua dërgoj kryetarëve në zyrë që të shohin se si jetojmë ne", tha një tjetër.

"Nesër do dhe pasnesër do të marrim leje për protestë dhe do bllokojmë rrugën kryesore", përfundoi një protestues.

Rruga prej 2 kilometër ju shërben më shumë se 2 mijë banorëve.