Rruga 'qorre' që la në koma natën e Kadrit 15-vjeçarin/ Banorët ngrenë alarmin: Të merren masat

9 Qershor 2019, 16:44

Aksi rrugor që lidhin qytetin e Kukësit me fshatrat Nangë dhe Bicaj prej vitesh është kthyer në burim aksidentesh.

Rasti më i fundit ndodhi pak ditë më parë ku mbeti i plagosur rëndë natën e Kadrit një 15-vjeçar i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje kome. Sipas  banorëve ky aks rrugor që përshkon mes përmes dy fshatrat e ku kalojnë dhjetëra nxënës ka fushëpamje të kufizuar dhe kthesa të rrezikshme. Burim tjetër aksidentesh është edhe mungesa e sinjalistikës. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e instancave përkatëse që të ndërtojnë trotuare dhe vendosjen e pengesave të kufizimit të shpejtësisë.

"Janë pa pengesa, shpejtësi e madhe e makina. Kemi parë një aksident para një jave, një 15-vjeçar në moshën më të mirë në orën 11:00 të natës dëmtohet nga makina me shpejtësi. I këkojmë shtetit të vërë dorë", tha një banor.

"Këtu është lindja e shkollës, kalojnë fëmijët ketëj. Është e ngushtë, ura është me problem...mbi 50 aksidente", tha një tjetër,

Të vendosen pengesa, se këtu kalojnë të rinjtë, fëmijët e shkollës"  tha për Report Tv i riu.

Të rrezikuar janë edhe disa banorë, të cilët kanë ndërtuar banesat e tyre poshtë rrugës, pasi çdo ditë jetojnë me frikën e rënies së ndonjë automjeti mbi shtëpitë e tyre. Rruga nuk ka as ndriçim.  Segmenti rrugor Kukës-Bicaj është pjesë e rrugës nacionale Kukës-Peshkopi. Kjo rrugë është rikonstruktuar vite më parë, por nuk u ndërtuan trotuare të cilat do të lehtësonin qarkullimin  e banorëve.