Edhe pse pandemia ka ndryshuar jetesën, ka rritur kostot dhe futur ekonominë në krizë, financimin më të madh e merr infrastruktura.
Për vitin 2021 qeveria vendosi të jap më shumë fonde për Ministrinë e Infrastrukturës, të Shëndetësisë, Bujqësisë dhe të Mbrojtjes.
Sipas tabelave të Buxhetit krahasuar me ato të vitit aktual, vihet re se Ministria e Infrastrukturës do të marrë 4.1 miliardë lekë më shumë se këtë vit, dhe në total buxheti i saj për 2021 arrin në 49.3 miliardë lekë. Fokusi i këtyre fondeve do të jetë tek projektet e reja në infrastrukturë dhe energjinë elektrike.
Më pas renditet Ministria e Shëndetësisë e cila historikisht ka pas buxhet të madh, por këtë vit i janë shtuar vetëm 2.3 miliardë lekë. Me këtë rritje buxheti i saj arrin në 67.7 miliardë lekë nga 65.3 miliardë lekë që ishte parashikuar. Këto para synohet të shkojnë tek rritja e kapaciteteve spitalore, rikonstruksione qendrash shëndetësore dhe vëmendje e shtuar tek nevojat e pandemisë.
Ministria e Bujqësisë do i jepen 2.1 miliardë lekë më shumë se këtë vit, si pasojë e zerimit të tre taksave për fermerët.
Nga ana tjetër si pasojë e përfundimit të tenderave të rindërtimit, dhe duke qenë se nuk pritet të hapen projekte të mëdha është ulur me 3.3 miliardë lekë buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ndërkohë është ulur me 4.8 milionë lekë buxheti i presidencës, me 176 milionë i Kuvendit, me 557.7 milionë buxheti i Financave. Po ashtu ministria e Kulturës do të ketë 37.7 milionë lekë më pak, e drejtësisë do ketë 905.7 milionë lekë më pak, 253.2 milionë më pak do të marrë edhe ministria e brendshme.
