Ruçi 'dush të ftohtë' institucioneve të pavarura: Jo ankesa! Mos mbani vendimet në sirtar, por fusni njerëzit në punë

7 Maj 2020, 13:09

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u kërkoi drejtuesve të institucioneve të pavarura që vendimet e Kuvendit nuk duhet t’i mbajnë në sirtar, por t’i zbatojnë pikë për pikë. "Ju ankoheni se nuk keni stafe", tha Ruçi, por u kërkoi që "duhet të dini që organikat i keni të plotësuara.

Vendosini njerëzit në punë dhe punoni me kapacitete të plota". Gjithashtu ai u shpreh se 'kërkojmë që qeveria duhet të angazhohet më shumë se deri tani për të raportuar periodikisht në Kuvend mbi zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ministritë dhe agjencitë  e saj'.  Në këtë kohë pandemia, Ruçi kërkoi që të respektohen të drejtat kushtetuese të qytearëve.

"Mirë se  erdhët  në këtë takim periodik të punës së Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura. Në fakt, siç edhe keni qenë informuar, ky takim ishte programuar muaj më parë, por për arsye të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së koronavirusit, e riprogramuam.

Aktualisht veprimtaritë parlamentare realizohen nëpërmjet formave të komunikimit elektronik, për të cilat kemi plotësuar edhe Rregulloren e Kuvendit. Në këtë format po organizojmë edhe këtë takim. Në fillim dëshiroj tju falenderoj për mirëkuptimin që treguat të gjithë ju, drejtuesit e institucioneve, për ofrimin e gjysmës së pagës për tre muaj në ndihmë të përballimit të situatës së emergjencës shëndetësore.