Ruçi mbron qeverinë teknike të Ramës: S’ jemi parti shtet

18 Janar 2019, 13:40

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në një komunikim me gazetarët ka komentuar përplasjen mes Presidencës dhe qeverisë për dekretet. “Nuk vendos në diskutim a ka të drejtë Presidenti apo jo, Kushtetuta thotë se Presidenti duhet të shprehet me dekret. Do të thotë se edhe kur jep ose pëlqimin duhet të ketë dekret, se është kompetencë e kuvendit që të shprehet si me pëlqimin edhe për mos pëlqimin. Kur të ngrihet gjykata të Kushtetuesja të shprehet ajo dhe ne të heshtim të gjithë”tha ai.

Ai u shpreh se nuk është penduar aspak për votën pro zgjedhjes së Metës. “Absolutisht nuk jam bërë pishman. Por nuk kam pritur që presidenti të operojë sipas orekseve politike, elektorale apo partiake të asnjë pale. Kam pritur dhe pres që Meta të zbatojë Kushtetutën. Edhe për kthimet e ligjeve është në kompetencat e tij”.

Por cfarë mendon Ruçi për disa nga emrat e rinj të ministrave që nuk vijnë nga radhët e PS-së? “Sistemi që lamë pas ishte i partisë shtet, sistemi që jemi është sistemi i partisë në pushtet, por kjo nuk do të thotë se kur je në pushtet të jenë anëtarët e forumeve dhe partisë në pushtet. Cdo parti që vjen në pushtet, nuk vjen me votat e anëtarësisë së vet, pasi maksimumi ka 100 mijë, i duhen 700 mijë dhe në dijeninë time logoja e fushatës ka qenë ‘bashkëqeverisja me qytetarët’’ tha ai.  

Ruçi kishte një apel për shumicën dhe opozitën për gjetjen e konsensusit për reformën zgjedhore, pasi sikur tha ai, KQZ ka nevojë për librin e rregullave. “Apeloj pozitën dhe opozitën që ditët që na kanë mbetur të mos kthehen në muaj. KQZ ka nevojë për librin e rregullave. Draftin e depozituar nga PS-ja nuk e fus në votim, opozita dhe pozita të bashkëpunojnë, do të fus në votim vetëm draftin e komisionit”.