Rudina Hajdari paraqet amendamentet e grupit demokrat: Duhet të ndryshojmë sistemin

25 Prill 2019, 10:35

Rudina Hajdari, kryetare e grupit të ri parlamentar demokrat, tha sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë se do të grupi i saj do të nisë punën për të pasur gati në javët në vijim një plan për reformimin e sistemit zgjedhor. Ajo foli për nevojën e një diskutimi publik në lidhje me këto ndryshime, të cilat do të reflektohet në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore.

Dje mazhoranca mori vendimin që ky komision që deri dje kishte në tryezë ish-opozitën parlamentare, PD-në dhe LSI-në të dalë tashmë jashtë Kuvendit, të përfshijë tashmë opozitën e re.

Rudina Hajdari paraqiti disa nga ndryshimet kryesore që grupi i saj parlamentar do të parashtrojë në këtë komision, mandati i të cilit është 6 muaj.

"Futjen e ndryshimit të sistemit, arritje shumë e madhe për opozitën dhe vendin. Ju garantoj se gjatë mandatit të këtij komisioni do bëjmë të pamundurën t'i arrijmë objektivat që kemi rënë dakord edhe me grupin e mazhorancës. Përtej adresimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, kemi detyrë të garantojmë proces të rregullt zgjedhor, për të eliminuar shit-blerjen e votës, përdorimin e fondeve publike, dhe masa për mbrojtjen e listave zgjedhore dhe çdo tentativë manipulimi. Do bëjmë të pamundurën si grup parlamentar i ri të zgjidhim këto çështje. Kemi 30 vjet që kontestojmë zgjedhjet, ne duhet t'i garantojmë qytetarëve zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk është objekt i pamundur, çdo gjë është e mundur nëse kemi vullnetin e duhur, ne do t'ja dalim. Do bëjmë të pamundurën të hapen diskutimet publike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Do hartojmë planet në javët në vijim", tha Hajdari.

Ky komision nga 18 anëtarë që ka pasur në të shkuarën, do të ketë 10 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita e re.