Rudina Hajdari për Report Tv: Nuk bëjmë koalicion me partitë e vjetra

1 Dhjetor 2020, 15:12

TIRANË-Deputetja Rudina Hajdari, pjesë e partisë "Nisma Thurje", në një intervistë të dhënë për Report Tv është shprehur se forca e saj politike përjashton koalicionet me atë që ajo e quan 'klasë të vjetër politike'. "Koalicionet nuk ekzistojnë me një klasë të vjetër politike sepse nuk mund të bëhesh i besueshëm. Në momentin që i bëjmë premtime qytetarëve t'i mbajmë dhe shumë qytetarë të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze. Hapësira është se ka shumë njerëz që nuk votojnë sot dhe i quajnë aktorët politikë shumë të ngjashëm. E rëndësishme është që në Shqipëri të ngrihet një klasë e re politike. Kjo klasë e vjetër politike duhet të marrë ndëshkimin e duhur për korrupsionin dhe faktin që e ka mbajtur peng Shqipërinë, e cila nuk po avancon në rrugën drejt Bashkimit Evropian", u shpreh Hajdari.Ndërkohë që e pyetur nëse do të kandidojë në Shkodër në zgjedhjet e 25 prillit, Hajdari thotë se ende nuk ka një vendim për këtë gjë. "Një ndër gjërat që unë bëj është mënyra se si angazhoj strukturat e kësaj lëvizje të re politike. Unë krahas angazhimeve në Tiranë po merrem edhe me zona të tjerë siç është Shkodra, por po merrem edhe në qytete të tjera. Në momentin që do vendosen kandidaturat do ta kemi edhe zyrtare. Është ende herët për ta zyrtarizuar. Ne jemi ende duke bërë aktin e themelimit, statusin e partisë dhe regjistrimin. Ndaj në momentin kur t'i kemi depozituar këto atëherë do të bëjmë edhe ndarjen e zonave. Por është e vërtetë që unë po angazhohem edhe në qytetet e veriut, siç është Shkodra", vijoi ajo. Për Rudina Hajdarin akuzat se forcat e reja politike ndihmojnë Ramën janë të bëra nga forca politike që duan të mbajnë statukuonë.