Një analizë e detajuar e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, që projektuan reformën në drejtësi, ka zbardhur për herë të parë mekanizimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë si dhe tarifat e ryshfetit për çështje të ndryshme penale si për emërimin në sistemin e drejtësisë. Sipas analizës, për të ndryshuar masën e sigurisë tarifa e ryshfetit shkon nga 60 deri në 80 mijë euro. Ndërkaq, për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë tarifa shkon nga 100 deri në 300 mijë euro. “Duke qenë se shifrat që thuhet se paguhen për këto pozicione janë marramendëse (100.000 deri 300.000 Euro për disa pozicione), është e natyrshme të besohet se këta funksionarë të drejtësisë do të korruptohen për t’i rimarrë (dhe mundësisht shumëfishuar) ato. Të dhëna jo zyrtare që qarkullojnë në publik dhe janë konsistente në kohë, sugjerojnë se cikli i pagesave korruptive fillon që me policinë gjyqësore, oficerë të korruptuar të së cilës pranojnë pagesa për të shkatërruar provat në vendin e ngjarjes. Më tej prokurorë të korruptuar pranojnë pagesa për të mos e filluar një çështje ose për të mos ngritur akuzë (1000 deri në 2000 euro për çështje standarde). Vlen të veçohet perceptimi në lidhje me shifrat që duket se paguhen për të ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpie ose detyrim për paraqitje (60.000 - 80.000 Euro). Gjyqtarë të korruptuar zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar (ndonjëherë edhe zbardhjen e vendimit) në pritje të ryshfetit”, thuhet në analizën e ekspertëve.
Sekseri
Sipas analizës ryshfeti nuk jepet drejtpërdrejt, por me ndërmjetësinë e një personi të tretë. “Madje ka të dhëna se disa gjyqtarë bëjnë lojë të dyfishtë duke përfituar ryshfete nga të dyja palët. Sikur të mos mjaftonte kjo, shpesh dhënia e ryshfetit nuk siguron rezultatin e dëshiruar. Në fakt nuk mungojnë historitë nën zë, që tregojnë për avokatë (ose ndërmjetës të tjerë) të cilët e kërkojë ryshfetin, gjoja në emër të gjyqtarit ose prokurorit, dhe e mbajnë për vete. Ndonëse jo e dokumentuar si në Ukrainë, situata në Shqipëri nuk duket fort e ndryshme edhe sa i takon formave konkrete të korrupsionit dhe mënyrës së dhënies/marrjes së përfitimeve të paligjshme. Duket se tipikisht, ryshfeti nuk jepet drejtpërdrejt por me ndërmjetësinë e një personi të tretë (fjala "sekser" përdoret rëndom në zhargon) ndonëse nuk përjashtohen kontaktet personale të të interesuarve me gjyqtarin ose prokurorin. Shpesh sekseri është një i afërt i familjes së gjyqtarit ose prokurorit, një mik i përbashkët, ose një avokat”, thonë ekspertët.
