Sa shkolla, banesa u ndërtuan e sa familje u mbështetën, Rama bën bilancin e 1 viti nga rindërtimi në Durrës

27 Nëntor 2020, 21:46

Kryeministri Edi Rama ka bërë bilancin e një viti nga procesi i rindërtimit për zonën e Durrësit, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona. Në bilancin e një viti në zonën  e Durrësit, Rama thekson se janë rindërtuar nga e para me fondet e qeverisë shqiptare 5 shkolla e kopshte dhe 6 në ndërtim e sipër, ndërsa nisin së shpejti edhe 19 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 3 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 16 me fondet e donatorëve.

Gjithashtu Rama thekson në bilancin e bërë se 50 banesa janë drejt përfundimit dhe 350 të tjera në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 380 banesa me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2000 apartamente me financim nga Emiratet e Bashkuara, marrëveshje e lidhur një ditë më parë. Ka përfunduar riparimet e 145 pallateve me dëme të lehta dhe janë në proces riparimi mjediset e përbashkëta në 458 pallate me dëme të lehta dhe të mesme. I është ofruar mbështetje me grante 9 655 familje me rreth 32 milionë dollarë dhe po trajtohen me bonus qiraje 4 135 familje që prej muajit dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi.

Rama thekson se procesi është ngadalësuar për shkak të pandemisë por që nuk është ndalur në asnjë moment në mënyrë që qytetarët e prekur nga kjo tragjedi të hyjnë sa më shpjet në banesat e tyre. Ndër të tjera Ram thotë se për rindërtimin e Durrësit janë angazhuar 30 kompani me 4,208 punëtorë në kantiere

"Po punohet së bashku me Komisionin Europian për projektet e mbrojtjes e restaurimit të monumenteve të prekura të kulturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimit në objektet e trashëgimisë kulturore. Po finalizohet marrëveshja me qeverinë franceze për financimin e vazhdimit më tej të investimeve për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit. Po kryhen vijimësisht riverifikime të mëtejshme për familje kryesisht jashtë vendit që kanë ngritur pretendime për nivelin e dëmit të banesës dhe askush nuk të jetë kurrë vetëm", thuhet ndër të tjera në njoftim.