Saçme dhe fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese Bllokohet punishtja dhe dyqani në Shkodër

8 Qershor 2019, 15:36

SHKODER-Një punishte që prodhonte saçme dhe një dyqan që tregtonte lëndë piroteknike dhe fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese janë bllokuar. Dy persona janë proceduar në gjendje të lirë. Në banesën e Avni Kullollit nga kontrolli u gjetën dhe sekuestruan 85 kilogramë  saçme që shërbejnë për mbushje të fishekëve të armeve te gjuetisë.

Saçmat i  përgatiste në një ambient që e kishte përshtatur si punishte artizanale, qe u bllokua në cilësinë e provës materiale. Ndërsa në dyqanin e Klaudeni Kanushajt banues në Shkodër, nga kontrolli janë sekuestruar në cilësinë një sasi fishekzjarrësh dhe lëndësh piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese.

Prodhimi dhe shitja e fishekzjarrëve është e ndaluar me ligj në Shqipëri, por pavarësisht kësaj aktiviteti ka vijuar, madje në protestat e opozitës janë përdorur gjerësisht. Në protestën e fundit simpatizantët e opozitës i përdorën fishekzjarrët në 'armë' duke vendosur në rrezik jetën e policëve.