Sali Shehu firmosi dje marrëveshjen me Bashën pa vullnetin e tij, Bamir Topi jep dorëheqjen nga drejtimi i FRD-së

25 Shkurt 2021, 15:50 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 15:57:31

Bamir Topi ka dhënë dorëheqjen nga drejtues i Frymës së Re Demokratike, një ditë pasi FRD ka firmosur pa vullnetin e tij marrëveshjen për koalicionin “Aleanca për Ndryshim”, me kreun e PD Lulzim Basha, për të hyrë bashkë në zgjedhjet e 25 prillit. Në shkresën e dorëheqjes drejtuar kryesisë së FRD-së, Topi thekson se vendimi është i parevokueshëm.

"Deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme si kryetar i FRD-së", thuhet në letrën e dorëheqjes së Topit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se nënkryetari i FRD Sali Shehu ka firmosur mbrëmë marrëveshjen me Bashën në selinë e PD, pa vullnetin e Bamir Topit. Po sipas këtyre burimeve thuhet se Sali Shehu s'kishte mandat nga kryesia për të firmosur dhe ka dalë kundër vullnetit të saj. Kujtojmë se Shehu ka shkuar 2 herë në selinë e PD mbrëmë dhe pasi ka përfunduar takimin e parë tha se nuk ka firmosur pasi do të konsultohet me kryesinë. Më pas nuk ka bërë asnjë prononcim lidhur me diskutimet që ka bërë me kryesinë, por pak para se marrëveshje të dorëzohej në KQZ, ai ka hedhur firmën e tij.

Siç u raportua dhe ditën e djeshme firmosja e marrëveshjes nga FRD ishte surprizë në këtë koalicion, e cila rikthehet në PD pas “divorcit” nga ish-kryeministri Sali Berisha.  Nga viti 2011 Berisha dhe Topi kanë artikuluar akuzat nga më të rëndat kundër njëri-tjetrit. Bamir Topi ka deklaruar disa herë se Basha është marrë peng nga  Berisha dhe vepron e mendon si shefi i tij. 

“Jam shumë i zhgënjyer nga Lulzim Basha. Ai është duarlidhur dhe nuk mund të veprojë vetë, pasi është marrë peng nga Berisha”. Ndërsa në vitin 2017, Topi shprehej se “Berisha është ai që hartoi listat, ndërsa Basha është pupaci i tij”, shprehej Topi në shtator të 2014.