Salianji në Report TV: Jemi në kushtet që duhet ta largojmë me FORCË Ramën dhe këtë qeveri

19 Nëntor 2019, 13:47

TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në studion e Report Tv ka bërë një deklaratë të fortë, sipas së cilit kjo qeveri duhet të largohet me forcë. Në emisionin  '5 pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, Salianji tha se Rama është shndërruar në një "monark" që ka kapërcyer krejtësisht ligjin, e për këtë arsye duhet që të rrëzohet me çdo lloj mjeti, që njeh manuali politik apo i mosbindjeve civile. 

"Pa diskutim pushteti nuk merret me forcë, por po e padiskutueshme është  që qeveritë rrëzohen më forcë, me forcën e popullit të bashkuar. Populli që të ka emëruar, kur nuk përfaqëson interesat e tij, të largon. Jo një herë katër vjet, por mandatet e keni parë që ndërpriten edhe me forcë. Por largimi i qeverisë nga populli bëhet edhe nëpërmjet forcës dhe unë mendoj që jemi padyshim në këto kushte. Që qeveria duhet të largohet me çdo mjet, me forcën e popullit të bashkuar. Unë po them në kuptim që e njeh të gjithë manuali politik apo i mosbindjes civileve, nuk po them që duhet të marrim armët dhe as nuk duhet shkuar përtej limiteve", tha Salianji. Duke u ndalur te takimi i nesërm në Presidencë, ish-deputeti tha se Meta duhet të ketë propozime konkrete për zgjidhjen e ngërçit Kushtetues, teksa vuri theksin se kreu i shtetit duhet ta kishte shpërndarë parlamentin me kohë dhe të mbetej vetëm në kuadrin e deklaratave politike.