Një ditë pas lirimit nga burgu të Ermal Hoxhës, njëri nga të dënuarit e grupit “Xibraka”, ka reaguar Partia Demokratike. Deputeti i PD, Ervin Salianji, në një deklaratë për mediat ka thënë se lirimi i Hoxhës është bërë me urdhër të Kryeministrit Edi Rama, për të mbrojtur të vëllain e tij, Olsi Rama. Salianji theksoi se lirimi i Ermal Hoxhës është një veprim pas shpine edhe për partnerët ndërkombëtarë që u investuan me Reformën në Drejtësi.
Lirimi i një krimineli është i papranueshëm, shqiptarët duhet ta dinë se trafikanti Ermal Hoxha është liruar para kohe. Rama liroi Ermal Hoxhën për të mbrojtur Olsi Ramën. Kushtet u parapërgatitën 1 vite më parë, kur bandës iu ul dënimi në mënyrë drastike. Kjo është thikë pas shpine për partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu i japin kohë për t’u arratisur Genti Xhixhës.
Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, u lirua nga burgu 4 ditë më parë, ndërsa lajmi u bë publik ditën e djeshme. Sipas burimeve të 'Shqiptarja.com', ai u lirua me kusht dhe gjatë kësaj kohe Ermal Hoxha nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe nuk duhet të shoqërohet me persona të inkriminuar.
Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.