Salianji publikon në '5 pyetjet nga Babaramo' përgjimet e reja për 'Babalen'

25 Mars 2019, 21:28 | Përditesimi i fundit: 2019-03-25 21:29:11

TIRANE  - Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka paraqitur disa përgjime të reja nga dosja hetimore për çështjen "Babale", të cilat nuk ndryshojnë skenarin e deritanishëm të hetimeve, pra që e gjithë historia ishte e stisur dhe që Fredi Alizoti, sipas rrëfimit të tij në prokurori, është personi që ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, në një audio-përgjim ku flitej për pazare droge me Albert Veliu, njohur në Vlorë me pseudonimin "Babale".

Përgjimet, një pjesë të të cilave Salianji i publikoi në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo" mbrëmjen e kësaj të hënë, tregojnë se Fredi Alizoti, kunati i "Babales", ka komunikime telefonike me drejtorin e Policisë së Fierit në atë kohë, Albert Nushi. Bisedat telefonike, të cilat janë përgjuar nga Prokuroria, i përkasin periudhës qershor 2018 dhe disa telefonata të tjera në muajin gusht të 2018-ës. Të gjitha këto biseda telefonike janë bërë pas 1 qershorit 2018, pra pasi Fredi Alizoti kishte rrëfyer gjithçka në prokurori. Këto telefonata që PD-ja i paraqet si prova të forta kundër vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, në fakt kthehen kundër saj, pasi komunikimet janë të gjitha pasi Fredi Alizoti ka dëshmuar në Prokurori.

29 Maji 2018 është dita kur Fredi Alizoti ka marrë në telefon sallën operative në Policinë e Fierit duke treguar se do të flasë të vërtetën e skandalit të përgjimeve "Babale". Burime pranë ish-drejtorit të Policisë së Fierit thonë se para kësaj date, nuk ka pasur asnjë njohje apo kontakt mes Albert Nushit dhe Fredi Alizotit. Të gjitha komunikimet janë në fillim të muajit qershor 2018, kur Alizoti kishte treguar gjithçka, pra që ishte zëri i tij në audio-përgjimin ku pretendohej nga PD përfshirja e Agron Xhafës.

Edhe sipas hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, nuk ka pasur asnjë kontakt telefonik mes Fredi Alizotit dhe drejtorit të Policisë së Fierit në atë kohë, Albert Nushit, i cili aktualisht mban postin e zëvendësdrejtorit për Rendin në Policinë e Elbasanit.

Të njëjtat burime pranë ish-drejtorit të Fierit, thanë për Shqiptarja.com se telefonatat e muajit gusht 2018 që Ervin Salianji i publikoi sot në "5 Pyetjet nga Babaramo", janë bërë sepse Fredi Alizoti i kërkonte mbrojtje drejtorit Nushi, duke pretenduar se ndihej i kërcënuar dhe kishte nevojë për lekë. Kujtojmë se dosja "Babale" mori përmasa të mëdha duke u kthyer në një akuzë të fortë të PD-së kundër ministrit të Brendshëm në atë vit Fatmir Xhafës, ndërsa vetë personazhi që doli të rrëfente historinë Albert Veliu, shkoi në Kosovë për të kërkuar azil politik me argumentin se i rrezikohej jeta.

Burimet, saktësuan se në pjesën e telefonatave të përgjuara ku flitet për pará, Fredi Alizoti i ka kërkuar drejtorit të Policisë së Fierit Albert Nushi, lekë për të fjetur në hotel. E ka telefonuar vazhdimisht drejtorin Nushi duke i kërkuar mbrojtje por edhe ndihmë me lekë. Theksojmë, se të gjitha këto komunikime mes tyre janë bërë pas rrëfimit në prokurori të Alizotit. Më herët mes Albert Nushit dhe kunatit të "Babales" nuk ka pasur asnjë njohje dhe komunikim.

Çdo drejtues i policisë në momentin që merr këtë post të rëndësishëm, firmos një kontratë përmes së cilës është e njohur se për efekt të punës apo hetimeve të ndryshme, numrat e policisë që mbajnë drejtorët, vihen në përgjim. Burime pranë ish-drejtorit të Fierit, thanë se Albert Nushi, gjatë gjithë kohës ka qenë në dijeni të faktit që numri i tij i punës 069 41 10 316 dhe numri tjetër 069 20 68 747 kanë qenë në përgjim. Këto janë dy numrat e drejtorit me të cilat sipas hetimeve, ka komunikuar me Alizotin.

Fredi Alizoti ka telefonuar sallën operative më 29 Maj 2018, ndërsa pasi është paraqitur në Prokurorinë e Fierit, ai është dërguar në Prokurorinë për Krime të Rënda ku edhe ka dëshmuar, për shkak se atje kishin nisur hetimet duke qenë se përflitej emri i vëllait të një ministri. Tashmë hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës pas mbërritjes së ekspertizës britanike ku rezultoi se përgjimi ishte i modifikuar dhe se zëri në audio-përgjim nuk ishte i Agro Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.

Albert Veliu tashmë ndodhet në Hungari, shtet i cili ka refuzuar ta ekstradojë në Shqipëri, ku është i pandehur nga Prokuroria e Tiranës, për kallëzim të rremë. Bashkë me të në hetim është edhe vetë ish-deputeti Ervin Salianji, i cili ka bërë publike edhe përgjimet përmes së cilave pretendon se Alizoti është detyruar dhe paguar të japë dëshmi të tillë, sikur zëri në audio-përgjimin ku pretendohet se flet Agron Xhafaj, është i tij.

Albert Veliu u arrestua dy muaj më parë në Hungari pasi u arratis nga kampi i azilkërkuesve në Kosovë ku qëndroi për disa muaj në pritje të statusit të azilantit politik. Prej më shumë se 2 javë Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe e ka marrë atë të pandehur së bashku me Salianjin dhe Fredi Alizotin me akuzën e kallëzimit të rremë. Bashkë me ta, në hetim është edhe gazetari Jetmir Olldashi, i përfshirë në këtë çështje.