Samiti i Berlinit bën bashkë liderët e Ballkanit/ Mungojnë 'miku' i Gruevksit dhe Meta

28 Prill 2019, 20:06

Dita e nesërme do të bëjë bashkë liderët e ballkanit perëndimor, në Samitin që do të zhvillohet në Berlin me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron.

Delegacionet pjesëmarrëse në këtë takim nga vendet e ballkanit perëndimor do të përfaqësohen nga presidentët dhe kryeministrat e tyre, ndërkohë që ajo që bie në sy është se në delegacionin që përfaqëson Shqipërinë mungon presidenti i vendit, Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama do të shoqërohet nga Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme Gent Cakaj. Gjithashtu në takim do të mungojnë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, George Ivanov.

Ky i fundit njihet për afërsinë me ish-kryeministrin në arrati, Nikolla Gruevksi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për shpërdorim natyre, por edhe për qëndrimet e tij anti-perëndimore.

Por ajo që nuk dihet është arsyeja pse në këtë takim do të mungojë presidenti i vendit tonë.

Nga udhëheqësit e Rajonit do të jenë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë do të jenë Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Temë e diskutimeve në Samit pritet të jenë marrëdhënia Kosovë-Serbi, çështjet e kufirit mes dy vendeve dhe vënia e taksës prej 100 për qind nga qeveria e Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

    No videos found.