Samiti i Ohrit/ Rama: Kosova po vetëpërjashtohet nga lëvizja e lirë në Ballkan!

10 Nëntor 2019, 18:16

OHËR- Kryeministri Edi Rama, homologu i tij maqedonas Zoran Zaev, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliç mbajtën sot në Ohër një konferencë për shtyp ku folën për zhvillimet e Samitit të Ballkanit Perëndimor, kryefjalë e të cilit është krijimi i Shengenit Ballkanik.

Kreu i qeverisë shqiptare shpjegoi rëndësinë e kësaj nisme mes vendeve të rajonit për hapjen e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e quajtur këtë të vetmen mundësi për realizimin e kësaj ëndrre të shqiptarëve me dakordësinë e Serbisë. Ai tha se Kosova u vetëpërjashtua nga ky samit duke e quajtur të pashpjegueshëm qëndrimin e papritur të saj lidhur me këtë çështje. Ai iu përgjigj edhe deklaratave të kreut të LDK Isa Mustafa i cili e kishte cilësuar shengenin Ballkanik një Jugosllavi të re. Ai tha se kjo është e tepërt ndërsa shtoi se i ka vënë kusht kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që në Shengenin Ballkanik të përfshihet lëvizja e lirë e njerëzve.Rama thumboi presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiç, për lidhjet e forta me Rusinë. Ai shpjegoi pozitat në të cilët ndodhet Shqipëria e cila ka synim vetëm perëndimin. Kreu i qeverisë u shpreh se Ballkani nuk do të presë dakordësimin  e BE për të krijuar marrëveshje që lehtësojnë ndërveprimin mes vendeve të saj. Për Ramën BE është në një kolaps të brendshëm dhe tashmë duket qartë se nuk ka përpara një proces zgjerimi reformimi, por kjo nuk do të thotë se vendet e tjera duhet të përfundojë ky proces.

Nga ana e tij, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç  e ka cilësuar shengenin ballkanik një mundësi të mirë bashkëpunimi mes vendeve, në kuadër të të cilëve qytetarët do lëvizin vetëm me anë të një letërnjoftimi. Ai tha se kundërshtarët e tij politikë e kanë akuzuar se po ndihmon në krijimin e një Shqipërie të madhe. Takimi i radhës të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës, në datë 21 Dhjetor.

    No videos found.