Samiti Ndërkombëtar për Turizmin, Gërxhani: Ishte i parakohshëm, pas tërmetit duhet certifikim i godinave

15 Janar 2020, 15:20

Një ligj i ri për turizmin, kategorizim me yje i hoteleve, marketing më i mirë nëpër panaire dhe jo vetëm guida klasike janë disa nga prioritetet që nënkryetari i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani, rendit për vitin 2020-t për turizmin i Shqipërisë.

“Pikat kryesore për 2020-n, ribërja e kuadrit ligjor e turizmit, bërja e plot e ligjit të turizmit, që po bëhet pengesë për standardizimin e tregut. Kategorizimi me yje i hoteleve,  i cili nuk është bërë, edhe bëhet i domosdoshëm tani pas tërmetit, që nesër të kemi hotele edhe më të qëndrueshme ndaj fatkeqësive natyrore”, thotë Gërxhani.

Konkretizimi i minishengenit ballkanik është një tjetër iniciativë, që nëse arrihet sipas Gërzhanit, do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë.

“Urojmë që iniciativa e minishengenit të konkretizohet, sepse nëse arrihet do ketë një lëvizje më të lirë të turistëve, që me një vizë do të vizitojnë disa vende. Probleme ka edhe sa i përket marketingut të Shqipërisë, në përzgjedhjen e panaireve, forma se si zgjidhen edhe mënyra se si jemi në të vendosur, është një nga problematikat e vjetra. Pjesa që ka të bëjë me guidat, klasike”, thotë Gërxhani, teksa shton se një pikë shumë e rëndësishme është edhe letra e fundit, që i kanë dërguar Ministrisë së Turizmit edhe të Rindërtimit që u ngrit për tërmetin.

“Ndër to ishin certifikimi sizmik i hoteleve të prekura. Nëse kemi këtë certifikim, që të tregojmë se kush është brenda standardit edhe kush jo, e kemi më të thjeshtë pastaj. Marketing më i madh në panaire e medie. Nëse bëhen këto gjëra ka vend për një Samit Ndërkombëtar, që unë e quaj të parakohëshm, pa bërë detyrat e shtëpisë”, thotë ai.

Ndërsa, Samiti Ndërkombëtar për Turizmin që u zhvillua në Tiranë, për Gërxhanin ishte i parakohshëm.

“Duhej bërë nëse fton donatorë financiarë edhe jo zv.ministra turizmi. E para duhen para, s’na duhet ngushëllim. Nëse bëhet për të shpërndarë mesazhin, bëhet, por pasi ne të certifikojmë njëherë, bëjmë skrinimin e zonave te prekura nga tërmeti. Cilat janë ato struktura që mund të përballojnë. Ne duhet të jemi të sinqertë me këtë gjë, nuk mund që t’u themi njerëzve, që hajdeni se nuk ka ndodhur asgjë. Ka aullime, njerëzit janë skeptik”, shprehet ai, teksa thekson se duhet bërë punët brenda shtëpisë, e pastaj të dilet në mëhallë, për të thënë: Jemi gati!
“Këto kanë nevojë për një kosto financiare, edhe për këtë ne duhet që të komunikojmë në mënyrë transparente me bizneset. Ato nuk gënjehen politikisht, por kërkojnë vende që janë të certifikuara ndërkombëtarisht, kjo gjë duhet bërë, edhe duhet bërë urgjent se sezoni fillon”, përfundon Gërxhani.

Kliton Gërxhani shpreson në angazhim konkret të institucioneve tona në strukturat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntorit, në mënyrë që situata mos të ndikojë në uljen e numrit të turistëve për vitin 2020.