Samiti 'Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri', Rama: Shqipëria është një leksion i rrallë për solidarizimin me të prekurit nga tërmeti

14 Janar 2020, 15:21

Tërmeti i 26 nëntorit përveç viktimave la pas edhe një shkatërrim të gjerë dhe mijëra familje të pastreha. Në kuadër të rindërtimit të Shqipërisë pas këtij tërmeti në Tiranë u mbajt për herë të parë Samiti “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri” që synon solidarizimin për të mbledhur fonde dhe nëpërmjet turizmit për fazën e rindërtimit te vendit tonë.

Në këtë samit për herë të parë u bënë bashkë ministrat e turizmit të të gjithë rajonit, nga Italia e Greqia, te Kroacia, Sllovenia, e Serbia. I pranishëm ne këtë takim ministri i Turizmit, Blendi Klosi u shpreh se duhet të mësojmë të jemi solidarë me njerëzit në nevojë ashtu siç u solidarizum me të prekurit me tërmetin.

Ka qenë Organizata Botërore e Turizmit që nxiti bashkimin e gjithë rajonit në Tiranë, për të ndarë përvojat, për të qenë bashkë në përballimin e fatkeqësisë dhe sidomos për të promovuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm turistik.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama është shprehur se Shqipëria duhet t'i tregojë botës së një leksion i rrallë në turizëm për sa i përket solidaritet duke marrë shkas nga solidariteti i lartë i sektorit të turizmit për të ndihmuar mbi 6000 qytetarë të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, gjë që nuk është parë askund  ku fatkeqësitë janë përballuar në çadra dhe jo në hotele me 5 yje, si në Shqipëri.