Sandër Lleshaj nga Elbasani: OFL-ja, jo selektive! Aksioni do të përshkallëzohet

18 Shkurt 2020, 12:41 | Përditesimi i fundit: 2020-02-18 14:50:16

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Elbasani u shpreh se Operacioni Forca e Ligjit është vetëm në hapat e parë dhe nuk ka objektiva selektivë duke paralajmëruar se do të përshkallëzohet në të gjithë vendin në vijim me qëllim që deri në fund të vitit të kalojnë në filtër të gjithë të skeduarit që  kap Akti Normativ. Përsa i përket sekuestrimit të pasurive, ai tha se nuk ka në Elbasan, ndërsa shtoi se asetet e sekuestruara do të vihen në shërbim të shërbimeve publike. Në momentin që agjencia e sekuestrimit do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme, Lleshaj u shpreh se godinat, që sot janë pasuri e krimit pas vendimit final të gjykatës, do të kalojnë në funksion publik, shkolla, qendra Shëndetësore, komisariat policie etj.

Prononcim për gazetarët i Ministri të Brendshëm Sandër Lleshaj
Jemi pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan për të inauguruar një investim të vogël, por shumë të rëndësishëm, i cili është kryer në kuadër të një programi të qeverisë suedeze. Është një program që vazhdon prej vitesh. Thashë një investim i vogël, por që përsëritet shumë herë dhe që bëhet shumë i madh në se e marrim në tërësinë e tij.Vetëm në qarkun e Elbasanit është e hera e dytë që vijmë. Para disa kohësh kemi qenë në Librazhd, tani këtu në Elbasan. Ky investim kryesisht adresohet ndaj nevojave të të miturve, të cilët përfshihen në ngjarje kriminale, qoftë si viktima, qoftë si të prekur, qoftë si pjesëmarrës, në mënyrë që ata të trajtohen në përputhje me standardet më të mira europiane.

Me këtë rast i shpreh falënderime qeverisë suedeze, e cila është angazhuar fort në këtë program prej vitesh, me një program, i cili shpërndahet në shumë pika të vogla, por që bën një investim i madh në fund të herës. Ashtu sikundër gjej rastin ta falënderoj edhe për angazhimin e djeshëm në kuadër të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë ku qeveria suedeze prapë ishte ndër kontributorët kryesorë në atë përfshirje dhe aksion të madh solidariteti të shumë vendeve të botës.

Policia Shqiptare është e angazhuar fort për t’i trajtuar me shumë kujdes çështjet që kanë të në bëjnë me familjen në tërësi, me dhunën në familje, me fëmijët, për arsye se dhuna në familje na prodhon ende shumë probleme. Dhe kemi në objektivat e këtij viti prioritete të rëndësishme që i adresohen dhunës në familje.

Së shpejti, do të kemi një konferencë të nivelit kombëtar për të adresuar pikërisht problematikën që lidhet me këtë çështje sensitive. Pra dhuna në familje dhe lufta kundër trafiqeve, e kryesisht të trafikut të qenieve njerëzore mbeten ndër dy prioritetet e mëdha të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për vitin 2020.