Sanxhaku, fshati i harruar i Kurbinit, banorët: Dërgimi i të vdekurve në varreza sfidë më vete, rrugët të degraduara

7 Janar 2020, 17:17

KURBIN- Fshati Sanxhak i Kurbinit edhe pse ndodhet pak kilometra larg qytetit të Laçit është lënë në harresë. Qarkullimi në këtë fshat është shumë i vështirë për banorët. Në këtë zonë nuk është investuar prej vitesh dhe rrugët e brendshme janë tërësisht të degraduara.

Kjo situatë ka vështirësuar jetesën e qindra banoreve të këtij fshati. Rruga është jashtë përdorimit dhe banorëve u duhet që të lënë makinat në hyrje të fshatit dhe ta përshkojnë rrugën në këmbë për të shkuar në banesat e tyre. Ndërsa dhe dërgimi i të vdekurve për në banesën e fundit është një sfide më vete, pasi për shkak të rrugës së degraduar automjetet e kanë të pamundura të ngjiten në varrezat e fshatit.

Banorët thonë se premtimet për rregullimin e rrugës nuk kanë munguar në çdo fushatë elektorale, por situata ka mbetur e njëjtë. “Kemi raste dhe makinat nuk mund të kalojnë as te varrezat, kemi kërkuar të shtrohet rruga se po na detyrojnë që të ikim fare nga këtu”, tha një banor.

“Këtu nuk kalohet dhe të vdekurit po i çojmë në krahë. Ikim në këmbë sidomos në dimër nuk kalohet në baltë”, tha një tjetër banorë.

“Është shumë e vështirë nuk kalon makina, ka ardhur djali dhe e ka lënë makinë larg vijnë me këmbë bashkë me fëmijët e vegjël. Edhe rrugën para shtëpisë e kemi shtruar vetë se nuk kalohet nga balta”, tha një e moshuar.

Janë 5 km rrugë të brendshme në fshatin Sanxhak që në kohë me shi bëhen të pakalueshme, ku mbizotërojnë balta dhe pellgjet e mbushura me ujë. Ky fshat i cili është më i madhi në Bashkinë e Kurbinit dhe jo më larg se 3 km larg qytetit të Laçit është lënë në harresë duke izoluar banorët.