Sapo ikën dielli në Durrës, mushkonjat shtrijnë pushtetin! Ankohen pushuesit

7 Korrik 2019, 20:18

Pas plazhit të Shëngjinit, Tales dhe Divjakës ku mushkonjat kanë shtrirë pushtetin e tyre, i njëjti shqetësim vjen edhe për bregdetin e qytetit të Durrësit. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku, tregon se sapo rrezet e diellit bien mbi qytetin e Durrësit, në skenë dalin mushkonjat dhe kjo është kthyer në një shqetësim për pushuesit, të cilët kanë ankesa të shumta për këtë situatë.

Sipas gazetarit këtë vit çështja e dezinsektimit të plazheve duket se është harruar dhe pamjet me avionë të cilët lëshonin helme për dezinsektimin e plazheve tashmë janë një kujtim i largët.

Pas avionëve, për disa vjet, dezinsektimi u krye me pompa manuale. Për të qenë më të qartë me pompa që vihen në kurriz të punonjësve e që ngjajnë me pompat e bojaxhinjve dikur. Këtë proces e kanë kryer ndërmarrjet e pastrim-gjelbërimit, nga shteti. Sivjet një proces i tillë nuk është kryer dhe për pasojë sapo nis të bjerë dielli në skenë dalin mushkonjat. Gazetari veçon faktin se ka ankesa të shumta nga pushuesit për një situatë të tillë e cila ndodh përgjatë gjithë vijës bregdetare duke nisur nga Gjiri i Lalzit dhe deri në Kavajë.

Shqetësim ngrihet edhe mbi bizneset të cilat operojnë në këtë zonë, të cilat mund të kryejnë këtë proces privatisht. Por ndërkohë mbetet detyrë urgjente e pushtetit vendor të dezinfektojë hapësirat publike se qytetarët nuk guxojnë të dalin në mbrëmje buzë detit pasi bien pre e mushkonjave, por situata nuk duket aspak me e mirë në plazhin e Divjakës, apo edhe zona të tjera përgjatë vijës bregdetare ku janë të pranishme edhe hapësirat moçalore.