Saranda drejt fundit të sezonit si në vitin 1997

29 Gusht 2020, 12:48 | Përditesimi i fundit: 2020-08-29 13:34:38

Saranda gumëzhinte nga pushuesit edhe në fund të sezonit turistik. Por java që mbyll muajin gusht, ofron një situatë që qyteti bregdetar është përballur vetëm në vitin 1997.

Numri i vizitorëve për këtë vit në Sarandë, është ulur ndjeshëm si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Të vetmit frekuentues të zonave turistike të Sarandës janë vendasit, ndërsa numri i pushuesve nga qytetet e tjera të Shqipërisë, rajonit e botës ka qenë shumë i ulët.

"Shumë mirë. Ka turistë të huaj. Vijnë shumë.  U trembëm nga pandemia, por i  dhamë kurajë vetes dhe erdhëm në plazh" tha njëri prej tyre.

Gjatë vitit të kaluar në Portin e Sarandës kanë hyrë më shumë se 450 mijë turistë të huaj, por këtë vit nuk ka hyrë akoma asnjë, kjo për faktin se anijet e pasagjerëve nga Korfuzi për në Sarandë vijojnë të mbeten të ankoruara në port për shkak të vendimit të  autoriteteve greke prej pandemisë.