Së shpejti do të vaksinohen stomatologët mbi 50 vjeç, Deda: Në total janë mbi 3 mijë të licensuar

3 Mars 2021, 16:45

Pjesë e procesit të vaksinimit anti-COVID do të jenë edhe stomatologët. Kreu i urdhrit të stomatologëve Nikoll Deda tha për Report Tv se janë 3000 stomatologë të licensuar në të gjithë vendin, por fillimisht vaksinimi do të nisë me fashën prioritare +50 vjeç.

“Numri i stomatologëve të licensuar është 3000 stomatologë të licensuar në të gjithë vendin. Rreth 60% punojnë dhe jetojnë në Tiranë. Ne i kemi propozuar ministrisë së Shëndetësisë një fashë moshe prioritare në vaksinim në stomatologji. Sipas mendimit tonë paraprakisht urgjentë është mosha mbi 50 vjeç. Për Tiranën ne kemi dorëzuar që mbrëmë listën e grupmoshës mbi 50 vjeç, nuk janë shumë rreth 250 veta”- u shpreh kreu i Urdhrit të Stomatologut.

Deda shpjegon se të gjitha qarqet janë në proces të krijimit të listave.

“Të gjitha qarqet janë në proces të formimit të listave të adresave, të numrave të telefonave për të lajmëruar stomatologët që duan të vaksinohen. Ne kemi një problem për Tiranën që do afishojmë tani listën prioritare për vaksinim, por ata që shohin emrin në rrjetet sociale duhet të japin numrin e telefonit dhe adresën sepse kështu i kërkon ministria e Shëndetësisë dhe DSHP”- tha Nikoll Deda.