Së shpejti mbyllet gara për hekurudhën Tiranë-Durrës, Balluku: Në 21 shtator presim ofertat financiare

27 Gusht 2020, 14:20

Më 21 shtator do të mbyllet gara përfundimtare për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe që përfshin edhe një me degëzim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila shkruan  se më datë 21 shtator priten ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin. Nga data e nënshkrimit kompanitë kane 24 muaj për të përfunduar të gjithë projektin.

Balluku thotë se tenderi për rehabilitimin e hekurudhës është diskutuar dhe ekspertët e BERZH e cila financon pjesën më të madhe të këtij projekti. Për këtë ministrja ka zhvilluar një bisedë me Drejtorin e BERZH për Shqipërinë Matteo Colangeli, dhe sipas saj në fokusin e bisedës kanë qenë hapat e mëtejshëm për projektet ambicioze në krijimin e një rrjeti modern hekurudhor.