Sekretari i Kushtetueses: Jemi të zhgënjyer me buxhetin, U goditëm edhe nga tërmeti

18 Nëntor 2019, 12:01 | Përditesimi i fundit: 2019-11-18 18:48:28

TIRANE-Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile deklaroi se në këtë institucion që prej dy vitesh është jashtë funksionit dhe tashmë pritet që të krijohet, janë rreth 110 cështje që presin për t'u shqyrtuar. Kështu deklaroi ai në Komisionin e Ligjeve ku ishte i pranishëm për t'u dëgjuar nga relatori Bashkim Fino dhe anëtarët mbi kërkesat që ka Gjykata Kushtetuese për buxhetin.

"Jemi të zhgënjyer me buxhetin sepse është ulur me 3 mln lekë. Sa i përket investimeve nuk po zgjatem shumë në shifra si jurist që jam po ju paraqes disa nga kërkesat e kësaj gjykate të cilat lidhen me godinën se jemi në të njëjtën godinë, se ambientet e amortizuara të Gjykatës Kushtetuese, të goditura për së dyti nga tërmeti. Mendoni kushtet në të cilat kanë filluar punë anëtarët e rinj të gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh fluksin e punës, mbledhja e gjyqtareve ka miratuar 72 punonjës të kësaj gjykate. Numri i cështjeve është diku te 110" tha ai.

Por Bashkim Fino reagoi duke thënë se buxheti për Gjykatën Kushtetuese është në rritje. "Projektbuxheti i gjykatës Kushtetuese është në rritje. I japim  160 mln lekë. Nga 34 mln lekë ju keni harxhuar vetëm gjysmat dhe me të drejtë ministria e Financave ka akorduar 31 mln lekë. Nga 34 mln lekë për investime keni harxhuar 0. Kur unë të jap 4 mln ti investon 0.2 kjo është absurde. Nga 114 mln lekë që është totali ne ju dhamë 161 mln, rritje goxha e konsiderueshme" tha ai.

Deputeti i opozitës në Kuvend, Andi Përmeti referuar ngërçit ku është futur kjo gjykatë, e pyeti duke qenë se sot jeni organi i vetëm që keni dy anëtarë për një vend a do jepni dy rroga, keni kërkuar 2 zyra, keni kërkuar buxhet shtesë për këtë apo jo? "Unë kam ardhur për buxhetin dhe do përgjigjem vetëm për buxhetin. Buxheti kërkohet për të 9 anëtaret nuk kërkohet për 1 ose 2. Ftesa me ka ardhur për buxhetin e shtetit dhe nevojat e gjykatës Kushtetuese. Gjykata kushtetuese mbetet në opozite gjithmonë për shkaqet e buxhetit. Jemi në një godinë por nuk kemi të njëjtat kushte" tha ai, duke iu referuar deklaratës së Fino, por ky i fundit u përgjigj duke thënë se  "Nuk thashë se nuk meritoni investime".