TIRANE - Pas hetimeve 1-vjeçare nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës përmes përgjimeve telefonike, mesazheve dhe vëzhgimeve në terren, është vënë në pranga Hermes Nikaj, 28 vjeç, njohur si "Zogu i Tiranës", për 'shfrytëzim prostitucioni' dhe 'prostitucion'. Së bashku me të në pranga ranë edhe tre persona të tjerë, A.Gj, 47 vjeç banues në Mamurras, A.N 43 vjeç lindur në Fier dhe banues në Kanada për veprën penale të "prostitucionit" dhe 43-vjeçarja me inicialet A.B,pronare e një qendre estetike në Tiranë. Ndërkohë po hetohen në gjendje të lirë edhe dy vajza 20 e 32 vjeçare nga Tirana, të dyshuara për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.
Hermes Nikaj dhe 47-vjeçari nga Mamurrasi u arrestuan mbrëmjen e së shtunës në ambientet e një hoteli në autostradën “Tiranë-Durrës“ në kuadër të operacionit të koduar "Your Turn", (radha jote) ndërsa prokuroria i akuzon për shfrytëzimin e vajzave për prostitucion, por edhe për ushtrimin e prostitucionit nga vetë ata.
Sipas hetimeve të kryera, Hermes Nikaj (Zogu i Tiranës), i cili dyshohet të ketë rolin e menaxherit, siguronte vajza dhe gra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotele sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 10.000 deri 20.000 lekë për 2 orë.
Ndërkohë, policia e Tiranës ka bërë publike se në kuadër të të njëjtit operacion, më datë 9 nëntor, është 43-vjeçarja me inicialet A.B, pronare e një qendre estetike në Tiranë, biznes që e kishte kthyer në rekrutim të vajzave për prostitucion. Sipas hetimeve të kryera, 43-vjeçarja fillimisht punësonte vajza si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion duke i dërguar në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata.
Hermes Nikaj mësohet të jetë mbajtur në vëzhgim nga efektivët e policisë ku janë përdorur edhe përgjime, ndërsa ndalimi i tij është bërë me urdhër arresti nga prokuroria e Tiranës, me firmë të prokurores Anila Galanxha. Në disa prej vëzhgimeve të bëra në terren sipas prokurorisë rezulton se Nikaj përfshihej edhe vetë në marrëdhënie seksuale në grup.
Në momentin e arrestimit, "Zogu i Tiranës" i ka mohuar akuzat. Hermes Nikaj ka edhe një qendër të vetën estetike të ndodhur në rrugën e Durrësit në Tiranë, "Te Zogu", por ende nuk dihet nga hetimet nëse edhe në qendrën e tij estetike shfrytëzonte vajza për prostitucion.
Hermes Nikaj është një personazh mjaft i njohur i ekranit dhe modelingut ndërsa ka punuar si gazetarë në disa emisione televizive mëngjesi.